Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Lexar paralajmëron SSD PCIe 4.0 me shpejtësi leximi prej 7 GB/s

Në një ngjarje të veçantë në Kinë, Lexar ka prezantuar inovacionet më të reja në segmentin e pajisjeve për ruajtje, duke përfshirë edhe SSD-të PCIe 4.0 të kompanisë, raporton Overclock3D.

Në tregun e sotëm të SSD-ve PCIe 4.0 të konsumit dominon Phison me kontrollorin e vet PS5016-E16, të cilin e përdorin Corsair, Galax, Adata, Seagate, Gigabyte dhe praktikisht të gjitha SSD-të e tjera PCIe 4.0 të konsumit, shkruan KOHA Ditore. Tani Lexar është duke përgatitur diçka të re - një PCIe 4.0 SSD më të shpejtë e cila do të duhej të sigurojë shpejtësi të leximit të të dhënave prej 7 GB/s.

SSD-të e sotme PCIe 4.0 zakonisht ofrojnë shpejtësi prej rreth 5 GB/s, ndërsa prototipi i Lexar e ka një rezultat të leximit prej 6224 MB/s. SSD-të PCIe 4.0 do të jenë edhe më të shpejta gjatë vitit të ardhshëm.

Lexar nuk ka zbuluar se kush është prodhues i kontrollorëve për këtë SSD, por vuri në dukje se pret që SSD-të PCIe 4.0 të kompanisë, të cilat priten gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, të ofrojnë shpejtësi leximi të të dhënave prej 7 GB/s.

Shpejtësitë sekuencionale të këtij SSD shpesh janë 2 herë më të shpejta sesa shumë SSD PCIe 3.0 të segmentit premium, gjë që është sigurisht një lajm i shkëlqyeshëm për ata që planifikojnë dhe e duan një SSD të shpejtë.

Në vitin 2020, kontrollorët e rinj PCIe 4.0 SSD priten nga kompanitë Phison, Silicon Motion dhe prodhuesit e tjerë.