Tech

Britaniku deklarohet fajtor për hakimin e Twitterit të vitit 2020 që preku edhe llogarinë e Bidenit

Një shtetas britanik, i ekstraduar në SHBA muajin e kaluar, është deklaruar fajtor në New York për rolin e tij në një prej hakimeve më të mëdha në histori të rrjeteve sociale, raporton BBC.

Hakimi i Twitterit i korrikut të vitit 2020 kishte prekur 130 llogari, përfshirë edhe të presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe ish-presidentit Barack Obama.

Joseph James O’Connor (23), i njohur si PlugwalkJoe, është deklaruar fajtor ndaj akuzave për hakim, akuza që mund të rezultojnë në total me mbi 70 vjet burgim.

Hakimi ishte pjesë e një skeme të gjerë të mashtrimit me Bitcoin.

O’Connor, që u ekstradua në SHBA nga Spanja, hakoi disa llogari në Twitter dhe postoi mesazhe duke u kërkuar ndjekësve që të dërgojnë Bitcoin në një llogari, ndërsa u premtoi dyfishim të parave.

O’Connor është akuzuar përkrah tre tjerëve për mashtrim. Tinejxheri amerikan Graham Ivan Clark është deklaruar fajtor në vitin 2021. Nima Fazeli nga Orlando dhe Mason Sheppard nga Bognor Regis në Britani të Madhe, po ashtu u akuzuan.

Ndihmësprokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Kenneth Polite Jr., përshkroi në një deklaratë veprimet e O’Connorit si “flagrante dhe me qëllime të këqija”. Ka thënë se ai “ka ngacmuar, kërcënuar e zhvatur viktimat, duke u shkaktuar dëme emocionale”.

Në vitin 2020, afro 350 milionë përdorues të Twitterit panë postime të dyshimta nga llogaritë e përdoruesve më të mëdhenj të platformës. Mijëra prej tyre ranë pre e këtij mashtrimi, duke dërguar kriptovaluta në llogarinë që iu kërkua.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se pasojat e hakimit të Twitterit kanë mundur të ishin shumë më të rënda nëse O’Connor dhe hakerët tjerë do të kishin plan më të sofistikuar sesa një skemë të pasurimit të shpejtë.

Kanë mundur të përhapen dezinformata për të ndikuar edhe në diskursin politik dhe po ashtu ka mundur të ndikohej edhe në tregje.

Hakimi tregoi se sa e brishtë ishte siguria e Twitterit në atë kohë. Sulmuesit telefonuan një numër të vogël të punonjësve të Twitterit me një storie të besueshme për t’i bindur ata që të dorëzojnë detajet e brendshme të “loginit”. Kjo më pas i dha hakerëve qasje në veglat më të fuqishme administrative të Twitterit.

Ishte një moment turpërues në historinë e Twitterit.