Miliona llogari online të amerikanëve janë prekur nga një komplot i hakerëve kinezë që synonin zyrtarët amerikanë, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja të hënën, raporton “BBC”.
Shtatë shtetas kinezë janë akuzuar për organizimin e një fushate të gjerë sulmesh kibernetike.
Ata akuzohen për lidhjet me një operacion hakimi që zgjati 14 vjet.
Departamenti Amerikan i shtetit tha se ka shpërblim deri 10 milionë dollarëve për ata që japin informata për kapjen e shtatë të dyshuarve.
Departamenti i Drejtësisë tha se hakerët kishin shënjestruar kritikët e Kinës, si amerikanë ashtu edhe të huaj, bizneset e po ashtu edhe politikanët.
Të shtatë burrat dyshohen se dërguan mbi 10 mijë “emaila me qëllime të këqija, duke ndikuar në mijëra viktima dhe nëpër disa kontinente”, në atë që Departamenti i Drejtësisë e ka quajtur “një operacion global të hakimit” të mbështetur nga qeveria kineze.
“Njoftimi i sotëm ekspozon përpjekjet e vazhdueshme të Kinës për të minuar sigurinë kibernetike të kombit tonë dhe për të synuar amerikanët dhe inovacionet tona”, ka thënë drejtori i FBI-së, Christopher Wray. “Për sa kohë që Kina vazhdon t’i synojnë SHBA-në dhe partnerët tanë, FBI-ja do të vazhdojë të dërgojë një mesazh të qartë se spiunazhi kibernetik s’do të tolerohet dhe ne do të ndjekim pa ndalur ata që kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e kombit tonë”.
Akuzat vijnë pasi Qeveria e Britanisë së Madhe po ashtu akuzoi Kinën se ishte përgjegjëse për fushatën “keqdashëse kibernetike” që shënjestroi Komisionin Zgjedhor britanik dhe po ashtu politikanët.
Diplomatët në Ambasadën e Kinës në Londër thanë se “kundërshtojnë fuqimisht akuzat” duke i quajtur ato “shpifje krejtësisht të sajuara dhe dashakeqe”.
Qeveria e Zelandës së Re po ashtu tha se Parlamenti i saj ishte shënjestruar nga hakerët e mbështetur nga Kina.
Një zëdhënës i Ambasadës së Kinës në Washington DC tha se “pa dëshmi të vlefshme, vendet përkatëse nxituan te një përfundim i pajustifikuar dhe bënë akuza të pabaza”.
Në aktakuzë ndaj shtatë shtetasve kinezë, prokurorët në SHBA thonë se hakimi ka rezultuar në ndërhyrje apo tentim ndërhyrje në llogari të punës, emaila personale dhe madje edhe nëpër regjistra të thirrjeve telefonike.
Emailat, që të dyshuarit dërgonin, dukeshin se ishin nga media të njohura apo gazetarë, që përmbanin linka të fshehtë gjurmimi. Nëse një person e hapte emailin, informatat e tij – përfshirë lokacionin dhe IP adresën – i dërgonte te një server që kontrollohej nga shtatë të akuzuarit.
Ky informacion më pas përdorej për të mundësuar “një hakim më direkt dhe të sofistikuar, si komprometimi i ruterëve të shtëpisë dhe po ashtu pajisjet tjera elektronike”, thonë prokurorët.
Përveç që synonin zyrtarët e qeverisë amerikane që punonin në Shtëpinë e Bardhë dhe në departamentet të ndryshme të SHBA-së, në disa raste edhe bashkëshortet e tyre, ata gjithashtu shënjestruan disidentët e huaj nëpër botë.
Thuhet se burrat “me sukses kishin kompromentuar aktivistët pro-demokracisë së Hong Kongut dhe bashkëpunëtorët e tyre të vendosur në Hong Kong”.
Kompanitë amerikane u hakuan po ashtu, ku burrat dyshohet se synonin industritë e mbrojtjes, teknologjisë informative, telekomunikacionit, tregtisë, financave dhe po ashtu të hulumtimeve.
Kompanitë e synuara përfshinin edhe kontraktuesit e mbrojtjes që ofrojnë shërbime për ushtrinë e SHBA-së dhe “një ofrues kryesore të pajisjeve të rrjetit 5G”, ka thënë Departamenti i Drejtësisë.