Një punëtor i BBC, Joe Tidy, ka rrëfyer se si një grup hakerësh i kanë kërkuar qasje në një nga kompjuterët e tij të punës në mënyrë që të hakohet mediumi ku ai punon nën këmbimin e një shume të madhe parash.
“Nëse je i interesuar, mund të të ofrojmë 15% të çdo shumeje të kërkuar nëse na jep qasje në PC tënd,” shkruante mesazhi që mora papritmas nga një përdorues me emrin Syndicate, i cili më kontaktoi në korrik përmes aplikacionit të koduar të bisedave, Signal.
Ai ka thënë se ky rast i ka ofruar përvojë të jashtëzakonshme shqetësuese se si hakerët mund të shfrytëzojnë punonjësit e brendshëm të kompanive të mëdha.
“Nuk e dija kush ishte ky person, por e kuptova menjëherë për çfarë bëhej fjalë. Më ofruan pjesë të një shume potencialisht të madhe parash nëse do t’i ndihmoja kriminelët kibernetikë të hyjnë në sistemet e BBC-së përmes laptopit tim. Ata do të vjedhnin të dhëna ose do të instalonin softuer keqdashës dhe do të bënin vendin tim të punës të detyrohej të paguante shpërblim dhe unë fshehurazi do të merrja një pjesë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se rastin e kishte raportuar në redaksinë e BBC-së, dhe pas këshillës nga një redaktor i lartë i BBC-së e kishte vazhduar lojën me Syndicate.
“Isha kurioz të shihja se si kriminelët bëjnë këto marrëveshje të errëta me punonjës të rrezikshëm, në një kohë kur sulmet kibernetike në mbarë botën po bëhen më të fuqishme dhe më shkatërruese për jetën e përditshme. I thashë Syn, i cili ndryshoi emrin gjatë bisedës, se potencialisht isha i interesuar, por duhej të dija se si funksiononte. Ai shpjegoi se nëse do t’u jepja kredencialet e mia të hyrjes dhe kodin e sigurisë, ata do të hidheshin në BBC dhe më pas do ta shantazhonin korporatën për një shpërblim në bitcoin. Unë do të isha në radhë për një pjesë të asaj shumeje”, ka thënë ai.
“Nuk jemi të sigurt sa paguan BBC-ja por ç’do të thoje po të merrje 25% të negociatës përfundimtare ndërsa ne nxjerrim 1% të të ardhurave totale të BBC-së? Nuk do të kishe më nevojë të punoje kurrë”, i kanë thënë hakerët.
Syn vlerësoi se ekipi i tij mund të kërkonte një shpërblim në dhjetëra-miliona nëse infiltrimi do të ishte i suksesshëm.
BBC-ja nuk ka marrë publikisht qëndrim nëse do të paguante apo jo hakerët, por Agjencia Kombëtare e Krimit u jep këshillë institucioneve që të mos paguajnë.
Megjithatë, hakerat vazhduan me ofertën e tyre.
Hakeri i kishte thënë se kishte pasur shumë sukses duke lidhur marrëveshje me punonjës të brendshëm në sulmet e mëparshme.
Si shembuj kur ishte arritur marrëveshje, ai ka përmendur emrat e dy kompanive që u sulmuan gjatë këtij viti, një kompani kujdesi shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar dhe një ofrues shërbimesh emergjente në SHBA.
“Do të habiteshe sa punonjës do të na jepnin qasje,” tha Syn.
Syn tha se ishte “menaxher i kontaktit” për grupin kriminal kibernetik të quajtur Medusa. Ai pretendoi se ishte perëndimor dhe i vetmi anglishtfolës në bandë.
.