Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli sulmon një spital në Gazë, të paktën gjashtë të vdekur

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë, përfshirë një kirurg, dhe 20 të tjerë të plagosur si pasojë e një sulmi ajror izraelit ndaj një ndërtese në Spitalin Nasser, në jug të Gazës.

Ushtria izraelite ka thënë se kishte shënjestruar pjesëtarë të Hamasit që, sipas saj, po përdornin kompleksin spitalor për operacione ushtarake, ndërsa Hamasi e ka dënuar sulmin si krim lufte.

“Një sulm ajror izraelit ndaj një ndërtese në Spitalin Nasser, në jug të Gazës, ka vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një kirurg, dhe ka plagosur 20 të tjerë”, ka thënë të enjten herët për Reuters një zëdhënës i Shërbimit të Mbrojtjes Civile në Gaza.

Më vonë, ushtria izraelite ka thënë se kishte shënjestruar një pjesëtar të lartë të Hamasit dhe anëtarë të tjerë të krahut të armatosur të grupit, të cilët, sipas saj, po vepronin brenda spitalit në Khan Younis.

Në një deklaratë, ushtria ka akuzuar Hamasin se po e përdorte kompleksin spitalor si qendër komanduese për operacione ushtarake, përfshirë ruajtjen e armëve, funksionimin e dhomave të komandimit dhe kontrollit, si dhe shfrytëzimin e ambienteve të spitalit si pika vëzhgimi dhe strehimore për luftëtarët.

Mahmoud Basal, zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, ka thënë se sulmi ajror izraelit goditi repartin e kirurgjisë së spitalit, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Mjekët kanë identifikuar kirurgun e vrarë si Rezik Abushira.

Izraeli, i cili ka shtuar sulmet në enklavë, thotë se Hamasi po përpiqet të rigrupohet dhe të rindërtojë arsenalin e tij të armëve. Mirëpo Hamasi thotë se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit të arritur një vit më parë dhe akuzon Izraelin se po përpiqet ta minojë marrëveshjen.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 1.600 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në territor që nga arritja e marrëveshjes, ndërsa Izraeli thotë se janë vrarë katër ushtarë të tij.

Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se më shumë se 74.000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor të vitit 2023.

Izraeli nisi ofensivën pas një sulmi të udhëhequr nga luftëtarët e Hamasit në jug të Izraelit, gjatë të cilit, sipas autoriteteve izraelite, u vranë rreth 1.200 persona.