Garuesi i Red Bullit, Max Verstappen, ka triumfuar të dielën në garën e Shpërblimit të Madh të Italisë në Formula 1 që u mbajt në Monza.
Verstappen mbylli garën me kohë 1:13:24.325 orë, ndërsa pas tij përfundoi Lando Norris i McLarenit me disavantazh prej 19.2 sekondave. I treti përfundoi Oscar Piastri i McLarenit.
“Ishte një ditë e shkëlqyer për ne...Realizim fantastik nga i gjithë ekipi. Mendoj se gjatë gjithë fundjavës ishim mirë dhe është shumë e këndshme të fitojmë këtu”, ka thënë Verstappen.
Piastri kryeson në renditjen e përgjithshme me 324 pikë, Norris është i dyti me 293 pikë, ndërsa Verstappen zë vendin e tretë me 230 pikë.
Gara e ardhshme është ajo e Shpërblimit të Madh të Azerbajxhanit që mbahet pas dy javëve.