Me gjithë fitoren dominante në finalen e “Wimbledonit” të shtunën, tenistja polake Iga Swiatek nuk ka ka pasur vetëm gjëra pozitive për të thënë. Pas triumfit historik, polakja ka kritikuar mediat në vendin e saj.
Për këtë ka zgjedhur momentin kur e gjithë vëmendja ishte tek ajo.
“Shpresoj se ata vetëm do të më lënë të qetë dhe do të më lejojnë të bëj punën time. Ju po e shihni se çka jemi duke bërë”, ka thënë 24-vjeçarja derisa po fliste për kritikat nga gazetarët dhe mediat polake në muajt e fundit.
Talentja e jashtëzakonshme nuk kishte fituar turne për më shumë se një vit. Dhe nga vendi i parë në ranglistën botërore ra në vendin e tetë. Me triumfin në “Wimbledon” bëri kthim impresiv.
Të shtunën Swiatek e fitoi finalen ndaj Amanda Anisimovas me rezultat e pabesueshëm, 6:0, 6:0. Në epokën e hapur të tenisit, për herë të parë një finale e “Wimbledonit” ka përfunduar me këtë rezultat. “Wimbledoni” vlerësohet Grand Slami kryesor i tenisit. Anisimova është me prejardhje ruse, ndërsa garon për SHBA-në.
Mënyra se si Swiatek është trajtuar nga mediat polake në muajt e fundit “nuk ishte vërtetë e këndshme”, ka thënë ajo. Ajo tashmë “ka dëshmuar se mund të bëj shumë”, ka thënë tashmë fituesja e gjashtë Grand Slam turneve.
“E di që njerëzit gjithnjë duan më shumë. Por është procesi im, jeta ime dhe karriera ime”, ishte e qartë Swiatek. Ajo shpreson që mediat do t’ia ofrojnë lirinë “për të bërë punën time në mënyrën që unë dua”.
Për momentin gjërat po shkojnë mirë. Pas katër titujve në “Roland Garros” dhe titullit në “US Open”, Swiatek tani ka tituj Grand Slam në tri shtresat e fushës së tenisit. Është lojtarja më e re që e ka arritur këtë që nga Serena Williams në vitin 2002.
Sa u takon Grand Slameve në epokën e hapur, edhe legjenda Steffi Graf ka fituar një finale 6:0, 6:0. Bëhet fjalë për finalen e Roland Garrosit në vitin 1988, të fituar ndaj Natasha Zverevas.
Swiatek udhëtoi për në Londrën jugperëndimore me pritshmëri të vogla. Ajo nuk kishte fituar asnjëherë në të kaluarën titull në fushën me bari. Për këtë arsye titulli në “Church Road”, ashtu si fitorja në “US Open” në vitin 2022, peshojnë më shumë se triumfet në “French Open”, thotë Swiatek.
“Këtë nuk e ka pritur askush”, ka thënë polakja.
Pas fitores ajo nuk e ka ditur se si do të festojë.
“Nuk e di se çka kanë planifikuar ekipi dhe familja ime. Ata po festojnë tashmë për dy orë. Janë në një fazë tjetër”, ka thënë tenistja duke qeshur. “Por përfundimisht do t’iu bashkohem atyre”.