Në Prishtinë po mbahet ngjarja e radhës ndërkombëtare sportive – Kampionati Mesdhetar për hendbollistet deri në 16 vjet.
Në qytetin ku do të mbahen Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 po marrin pjesë ekipe përfaqësuese të plot 12 shteteve. Katër prej këtyre vendeve nuk e njohin shtetin e Kosovës. Bëhet fjalë për Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë e Greqinë.
Derisa në Pallatin e Rinisë në Prishtinë të gjitha ekipet pjesëmarrëse po paraqiten në kushte të njëjta, Kosova nuk trajtohet njëjtë nga federatat e të gjitha këtyre vendeve.
Është vetëm federata spanjolle që ka qëndrim diskriminues ndaj Kosovës, të paktën sa i takon prezantimit.
Në njoftimet zyrtare të kësaj federate lidhur me Kampionatin Mesdhetar, askund nuk shkruan se kjo ngjarje mbahet në Kosovë. Ndeshja e parë e Mesdhetarit ishte pikërisht në mes të Spanjës dhe Kosovës. Por Federata e Hendbollit e Spanjës e ka shkruar vazhdimisht se Spanja ka luajtur kundër “Federatës së Hendbollit të Kosovës” Ndërkohë ekipet tjera përfaqësuese federata spanjolle i ka prezantuar drejt: Mali i Zi, Bullgari, Rumani, Turqi.
Spanja U16 fitoi ndaj Kosovës me rezultat 39:13. Të martën spanjollet e reja kanë fituar 23:19 ndaj Malit të Zi. Dhe sërish në asnjë vend nuk është shkruar që kampionati po mbahet në Kosovë. Dhe sërish si kundërshtare e parë e Spanjës është paraqitur “Federata e Hendbollit e Kosovës”.
Ndërkohë federatat e Sllovakisë, Rumanisë dhe Greqisë e kanë shkruar drejtë se ku po mbahet Kampionati Mesdhetar dhe po ashtu emrin e Kosovës.
“Lojtaret tona të reja kanë mposhtur moshataret nga Greqia në ndeshjen e parë në Lojërat Mesdhetare në Kosovë”, ka shkruar federata sllovake.
Edhe federata e Rumanisë e ka shkruar se Mesdhetari mbahet në Prishtinë, Kosovë. Njëjtë edhe ajo greke.
“Kampionati i 19-të Mesdhetar për vajza do të mbahet në Prishtinë, Kosovë, nga 8 deri më 15 shkurt”, ka shkruar federata greke.
Ndonëse për hendbolliste të reja, Kampionati Mesdhetar vlerësohet me peshë edhe për shkak të Lojërave Mesdhetare që i organizon Prishtina pas katër vjetësh. Shumica e shteteve që kanë ekipet e hendbollit në Prishtinë do të jenë edhe në Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Dhe ndërlikimet e natyrës politike nuk përjashtohen.