Të hënën në Prishtinë ka nisur Kampionati Mesdhetar i hendbollit për lojtaret deri në 16 vjet.
Në ndeshjen e parë janë përballur Spanja dhe Kosova. Ndeshja ka nisur me intonimin e himnit të dy shteteve. Lojtaret e Spanjës, ashtu si duhet, e kanë respektuar himnin e Kosovës. Njëjtë ndodhi me hendbollistet e Kosovës.
Spanjollet kanë dominuar ndeshjen dhe kanë fituar 39:13.

Derisa në Prishtinë çdo gjë ishte në rregull, Federata e Hendbollit e Spanjës në faqen zyrtare ka bërë paraqitje diskriminuese ndaj Kosovës.
Në raportin e ndeshjes e ka shkruar që Spanja ka luajtur ndaj “Federatës së Hendbollit të Kosovës” e jo ndaj Kosovës.
Në shumë vende, si rivale e Spanjës është paraqitur “Federata e Hendbollit e Kosovës” e jo Kosova.
Ndërkohë të gjitha kundërshtaret e ardhshme të Spanjës, Federata e Hendbollit e Spanjës i ka shkruar me emrin zyrtar: Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Turqia.
Në fakt kjo nuk është asgjë e re.
Federatat spanjolle, duke përfshirë atë të futbollit, kanë vazhdimisht qëndrim diskriminues ndaj Kosovës, kur bëhet fjalë për prezantim. Zakonisht e shmangin përdorimin e emrit zyrtar “Kosova”. Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon të ketë qëndrim diskriminues ndaj sportistëve kosovarë, të paktën sa i takon prezantimit.
Ka pasur raste kur spanjollët e kanë shkruar “ESP – kos”, edhe në transmetime televizive.
Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Spanjës, një ndeshje e ardhshme e U21 të Spanjës me U21 të Kosovës është paraqitur në këtë mënyrë: “Espana – kosovo”.
Ndërkohë Qiproja dhe Finlanda janë shkruar drejtë.
KOHA ka kontaktuar Federatën e Hendbollit të Kosovës që ka paralajmëruar se do të kërkojë sqarime nga Federata e Hendbollit e Spanjës për mënyrën se si e ka shkruar emrin zyrtar të Kosovës.
Në Kampionatin Mesdhetar për hendbollistet e reja po paraqiten 12 ekipe kombëtare.
Qëndrim diskriminues ndaj sportistëve të Kosovës ka edhe Qiproja. Pasi nuk lejoi pjesëmarrjen e karateistëve kosovarë me simbole të shtetit, Federata e Karatesë së Kosovës nuk pranoi të marr pjesë në Evropianin për të rinj që prej të premtes deri të dielën është mbajtur në Qipro. Karateistët kosovarë nuk udhëtuan fare për në Qipro, që po ashtu nuk e njeh Kosovën si shtet.