Përzgjedhësja e Kosovës U17, Sanije Krasniqi, të hënën ka shpallur listën e futbollisteve për raundin e dytë të kualifikimeve për “Euro 2026”. Prej 1 deri më 7 mars në Oeiras të Portugalisë, Kosova U17 luan në Grupin A6. Nëse e fiton këtë grup, kualifikohet në Evropianin që mbahet këtë vit. Gjasat për kualifikim nuk janë të mëdha, marrë për bazë konkurrencën e fortë. Por vetë paraqitja në Ligën A të raundit të dytë kualifikues është sukses për futbollistet e reja të Kosovës.
Ndeshjen e parë Kosova U17 e luan ndaj Spanjës U17, më 1 mars nga ora 14:00. UEFA shumë kohë më parë e ka zyrtarizuar terminin e ndeshjes.
Por, derisa UEFA dhe FFK-ja e evidentojnë ndeshjen si të Spanjës dhe Kosovës, Federata e Futbollit e Spanjës e ka deformuar jo pak emrin e kundërshtares. Në vend se ta shkruajë “Kosova”, e ka shkruar “Federata e Kosovës”.

Kjo në fakt nuk është asgjë e re. Ka kohë që Federata e Futbollit e Spanjës bën prezantim diskriminues të ekipeve kombëtare të Kosovës. Dhe kjo qasje nuk po ndryshon.
KOHA e ka pyetur disa herë Federatën spanjolle për prezantim diskriminues të Kosovës. E pyeti edhe të hënën, por pa pranuar përgjigje.
Ka pasur raste edhe më të rënda për mënyrën e prezantimit që spanjollët i kanë bërë Kosovës. Madje edhe në transmetime në televizionin spanjoll nuk ishte përmendur asnjëherë Kosova, ndonëse Kosova luante kundër Spanjës.
Spanja ende nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ditë më parë në Prishtinë luajti ekipi U16 i hendbollisteve të Spanjës. Në Kosovë u intonua himni i Spanjës, krahas atij të Kosovës, por Federata spanjolle e shkroi se Spanja luajti me “Federatën e Hendbollit të Kosovës” dhe jo me Kosovën.
Edhe
Federata spanjolle vazhdon me prezantim diskriminues ndaj Kosovës
UEFA garanton prezantim të njëjtë për të gjitha ekipet kombëtare gjatë ndeshjeve të saj dhe në të gjitha dokumentet zyrtare. Por me rastin e Federatës spanjolle, deri më tani është lejuar prezantimi i deformuar i Kosovës në kanalet zyrtare të kësaj federate.
“Espana – Federacion de Kosovo”, shkruan në webin zyrtar të Federatës së Futbollit të Spanjës për ndeshjen e 1 marsit.
Për ndeshjet në Portugali, Kosova i ka ftuar 20 lojtare të reja. Për to, turneu kualifikues do të jetë përvojë shumë e vlefshme.