Fishkëllimat gjatë himnit të Spanjës ishin të pritura pas mënyrës se si Federata e Futbollit e Spanjës e prezantoi dhe e prezanton Kosovën në faqen zyrtare dhe profilet e saj në rrjetet sociale.
Himni i Spanjës u fishkëllye të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”, ku të pranishëm ishin rreth 3500 shikues. Në fund Spanja U21 fitoi 3:1 ndaj Kosovës U21, në kualifikimet për Kampionatin Evropian që në vitin 2027 mbahet në Shqipëri e Serbi.
Ende pa u marr vendimi për organizimin e Evropianit nga Shqipëria dhe Serbia është pritur që kjo ngjarje të jetë problematike për Kosovën. Kjo u bë thuajse e qartë kur u tërhoq shorti dhe Kosova U21 ra në një grup me përfaqësuese të vendeve që nuk e njohin shtetin e Kosovës - Rumanisë, Spanjës e Qipros.
Kualifikimet e Kosovës U21 nisën më 5 shtator. Në Iasi, Kosova luajti pa gola me Rumaninë. Nuk ka pasur raportime për ndonjë shkelje apo mënyrë të padenjë të prezantimit të Kosovës.
Por situata ndryshoi të martën. Federata e Futbollit e Spanjës në faqen zyrtare dhe profilet në rrjetet sociale shkroi se Spanja U21 luan ndaj “Territorit të Kosovës”. Pasoi një reagim i FFK-së dhe ankesa në UEFA.
Qasja e Federatës së Futbollit të Spanjës ndryshoi ndërkohë. Në rrjetet sociale më nuk u përmend fare Kosova, as si territor e as me emrin zyrtar. U paraqit vetëm flamuri i Kosovës. Ndërkohë në faqen zyrtare të federatës termi “Territor i Kosovës” u zëvendësua me “Federatë të Kosovës”. Pra sërish federata spanjolle nuk e ka quajtur Kosovën me emrin zyrtar. Dhe kjo shkelje vazhdon.

Qasje të njëjtë ka edhe televizioni spanjoll, por jo edhe shumica e mediave të tjera spanjolle.
Federata spanjolle u kujdes që Kosovën të mos e paraqesë as në deklaratat e trajnerit dhe lojtarëve pas fitores 3:1 në Prishtinë.
Është shkruar Prishtina, seleksioni kosovar, kosovarët, federata e Kosovës, por askund emri zyrtar i shtetit, Kosova.
Nëse nuk reagon UEFA, për mënyrën e prezantimit priten telashe të tjera për Kosovën për ndeshjen në Spanjë, që është më 31 mars 2026. Janë edhe dy ndeshjet me Qipron e po ashtu ajo në shtëpi me Rumaninë, po ashtu me potencial për ndonjë “anomali”.
“Nuk është hera e parë që përballemi me një sjellje të tillë nga Federata e Futbollit të Spanjës dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme. UEFA qëndron mbi vlera si uniteti, respekti dhe barazia ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj, prandaj këto parime duhet të respektohen jo vetëm në veprime, por edhe në fjalë, nga çdo federatë anëtare. Kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit e Spanjës, se veprimet e saj ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s. Ne shpresojmë dhe besojmë se Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të trajtohet si një anëtare e barabartë e UEFA-s, jo vetëm nga vetë UEFA, por edhe nga të gjitha federatat e tjera kombëtare”, shkruan në letrën që kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e ka dërguar të martën në UEFA dhe në federatën spanjolle.
Në të vërtetë këto zhvillime në kualifikime nuk kanë fare të bëjnë me atë se ku do të zhvillohet Evropiani.
Por që në fillim është ditur se një Evropian i përbashkët Shqipëri – Serbi asnjëherë nuk është ide e mirë. Për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës jo se jo.
Edhe të martën mbrëma në Beograd është fyer Kosova dhe shqiptarët. Serbia pësoi goditje të rëndë, duke u mposhtur 5:0 nga Anglia. Fyerjet ndaj shqiptarëve dhe tensionet do të jenë dukshëm më të mëdha pas një muaji, kur Shqipëria luan me Serbinë në Beograd.
Serbët e Serbia janë fyer vazhdimisht në qershor kur Shqipëria e Serbia u përballën për herë të parë në kualifikimet për Botërorin 2026. Ajo ndeshje ishte luajtur në Tiranë.
Natyrisht, Kosova është “qendra” e këtyre zhvillimeve. Edhe sikur të mos kishte telashe me Spanjën, e potencialisht me Qipron e Rumaninë, Evropiani Shqipëri – Serbi mbetet ide e keqe. Dhe kjo nuk do të ndryshojë ndonjëherë.