Të martën, në ditën e gjashtë të garave në Lojëra Mesdhetare, Kosova prezantohet në hendboll, volejboll, futboll dhe not.
Hendboll e volejboll luajnë djemtë, ndërsa në futboll vajzat. Të gjitha këto ekipe janë në pritje të fitoreve të para në “Taranto 2026”.
Ndërkohë notarët i kanë garat e radhës, me shpresë për më shumë sukses.
Kosova U18 mposhtet thellë nga Maroku
Futbollistet e grupmoshës U18 të Kosovës e kanë pësuar edhe disfatën e dytë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kosova U18 u mposht të martën mbrëma nga Maroku me rezultatin e thellë 4:0. Nessma Mouradi i shënoi dy golat e parë në minutën e gjashtë dhe të 13-të.
Ndërsa, dy golat e fundit i realizoi Sonia Abajiou, në minutën e 38-të dhe të 49-të.
Kosova U18 të shtunën e kaluar u mposht edhe nga Portugalia. Ndërsa në grup me Kosovën U18 është edhe Sllovenia.
Humbje e thellë për tenistin kosovar
Të martën kanë nisur garat e tenisit në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Prej tenistëve kosovarë i pari garoi Jasin Jakupi. Por ai humbi thellë nga maltezi Liam Delicata.
Jakupi humbi të dy setet me rezultatin maksimal, 6:0.
Kosovën në tenis e përfaqësojnë edhe Florent Limani dhe Learta Muharremi.
Volejboll, Kosova luan ndeshje të fortë por mposhtet nga Turqia
Volejbollistët e Kosovës e kanë bërë paraqitjen më të mirë deri më tani në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Megjithatë pësuan 3:2 në sete nga Turqia, në ndeshjen e Grupit B, të martën.
Dy setet e para i fituan volejbollistët kosovarë, 25:21 dhe 25:23.
Turqit reaguan më pas, duke e fituar setin e tretë 25:15 dhe setin e katërt me rezultat 25:16.
Kështu fituesi u vendos në setin e pestë. Turqia shfaqi më shumë për fitore 15:10 në setin vendimtar.
Tri ndeshjet e parë në grup, Kosova i kishte humbur me rezultat 3:0 në sete. Pësoi nga Greqia, Spanja dhe Egjipti. Ndeshja me Turqinë ishte e fundit në grup.
Not, Beiqi e 13-ta në 50 metra stil të lirë
Notarja më e mirë kosovare, Hana Beiqi, ka garuar të martën në disiplinën 50 metra stil të lirë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Beiqi përfundoi e 13-ta në kualifikime, ndërsa gjithsej ishin 22 notare.
Hana Beiqi kishte kohë prej 26 sekonda e 72 të qindtat. Koha e fundit që siguroi vend në finale ishte 25 sekonda e 89 të qindtat. Në finale kaluan tetë më të mirat.
Riga Shala garoi në disiplinën e njëjtë. Mbeti e fundit me kohë prej 28 sekonda e 11 të qindtat.
Në 50 metra stil të lirë garoi të martën edhe Dior Krasniqi. Ai mbeti i 18-ti, përkatësisht i fundit prej notarëve që startuan. Koha e Krasniqit ishte 24 sekonda e 97 të qindtat. I parafundit kishte kohë 23 sekonda e 93 të qindtat. Koha e fundit që siguroi finalen ishte 22 sekonda e 73 të qindtat.
Në 100 metra shpinë garoi Erina Idrizaj, që u rendit e nënta prej 11 notareve që startuan. Koha e Idrizajt ishte 1 minutë, tetë sekonda e 56 të qindtat. E teta, që kaloi në finale, kishte kohë prej 1 minutë, katër sekonda e 33 të qindtat. Erina Idrizaj la prapa notare nga Libani dhe Shqipëria.
Humbje e thellë e Kosovës nga Egjipti
Hendbollistët e Kosovës e kanë humbur edhe ndeshjen e dytë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Të martën paradite, Kosova pësoi me rezultat të thellë, 42:21 nga Egjipti, që vlerësohet favorit i turneut të hendbollit.
Vetëm në fund të pjesës së parë hendbollistët kosovarë ishin të barabartë në fushën e lojës. Pjesa e parë përfundoi 17:14 për Egjiptin, që në pjesën e dytë dominoi plotësisht për fitore me plot 21 gola dallim.
Lojtarët e Kosovës kishin shumë gjuajtje të pasuksesshme e gabime teknike.
Të dielën, Kosova pësoi 39:23 nga Italia. Të enjten është ndeshja e Kosovës me Portugalinë.