Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Si e orkestruan Trump dhe Vance rikthimin e Jensen Huangut në krye të Nvidia-s

Donald Trump dhe Jensen Huang

Foto: Associated Press

Presidenti Donald Trump kishte kaluar disa ditë i shqetësuar për rënien gjithnjë e më të madhe të tregut amerikan të aksioneve, kur arriti në përfundimin se ekzistonte vetëm një mënyrë për ta ndalur këtë rënie: rikthimi i Jensen Huang në krye të Nvidia-s.

Vendimi i Trumpit, i marrë në fund të javës së kaluar, ka nxitur një fushatë të paprecedentë presioni nga Shtëpia e Bardhë, të organizuar nga vetë presidenti, për të bindur gjigantin e teknologjisë që të rikthente drejtorin ekzekutiv të përfshirë në skandal, vetëm 11 ditë pasi ai kishte dhënë dorëheqjen nën presion.

Këtë e kanë thënë për CNN disa persona të njohur me çështjen.

Gjatë një vale telefonatash në fundjavë, zyrtarë të lartë të administratës, të udhëhequr nga nënpresidenti JD Vance, ushtruan privatisht presion ndaj bordit drejtues të Nvidia-s për ta rikthyer Huangun. Ata e siguruan kompaninë se ai nuk përbënte rrezik për sigurinë kombëtare, kanë thënë disa burime të njohura me çështjen, pavarësisht pyetjeve që vazhdonin të ngriheshin brenda dhe jashtë administratës për lidhjen e tij me një grua të dyshuar për lidhje me inteligjencën kineze.

Në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e Nvidia-s, Trumpi ka telefonuar personalisht bordin e kompanisë për të garantuar në mbështetje të Huangut, një aleati të afërt të tij, për të cilin presidenti ishte bindur se ishte thelbësor për suksesin e ekonomisë në tërësi.

“Kam folur drejtpërdrejt dhe tërthorazi me bordin dhe e kam ndier shumë fort këtë çështje”, ka thënë Trumpi të hënën për CNBC, pak pasi Nvidia ka njoftuar se, bazuar në “rekomandimet nga nivelet e larta” të qeverisë, po e rikthente Huangun në postin e drejtorit ekzekutiv.

“Mendoj se kemi rikthyer një nga yjet tanë më të mëdhenj në lojë”, ka shtuar ai.

Ky vendim ka shënuar një kthesë dramatike në një histori disa javore që kishte përfshirë si Uashingtonin, ashtu edhe Wall Street-in, pas zbulimeve për marrëdhënien e Huangut me një grua, për të cilën agjencitë amerikane të inteligjencës dyshonin se mund të ishte një agjente e qeverisë kineze.

Përpjekja e Shtëpisë së Bardhë për ta rikthyer Huangun është mbajtur aq e fshehtë, saqë edhe disa drejtues të lartë të Nvidia-s nuk ishin në dijeni deri pak para se kompania ta njoftonte vendimin të hënën në mëngjes, ka thënë një burim i njohur me çështjen.

Ngjarja ka ofruar gjithashtu një pasqyrë të obsesionit të Trumpit për të mbështetur ekonominë amerikane, të cilën ai e konsideron një faktor kyç në përcaktimin e trashëgimisë së tij politike. Ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës besojnë gjithnjë e më shumë se ekonomia amerikane varet në masë të madhe nga ecuria e Nvidia-s dhe një numri të vogël kompanish të mëdha të inteligjencës artificiale.

Që prej pranimit nga Huangu të një lidhjeje jashtëmartesore, Kongresi ka nisur hetime dypartiake për sjelljen e tij dhe pasojat e mundshme për sigurinë kombëtare.

Çështja ka shtuar gjithashtu vëmendjen ndaj mënyrës se si Trumpi dhe ndihmësit e tij më të lartë i kanë trajtuar paralajmërimet e mëparshme për marrëdhënien e Huangut me një shtetase kineze, Alice Huang, e dyshuar për punë në shërbim të qeverisë së atij vendi. Ndërkohë, ajo ka nxitur një valë të re akuzash të ndërsjella brenda kabinetit të Trumpit për hezitimin e administratës për të vendosur kontrolle më të rrepta ndaj shitjes së çipave të avancuar të inteligjencës artificiale të Nvidia-s në Kinë.

Alice Huang ishte drejtuese në kompaninë Megaspeed, e cila kishte blerë çipat e Nvidia-s. Zyrtarët amerikanë kishin ngritur shqetësime se këta çipa më pas kishin përfunduar në Kinë.

Por për Trumpin, rënia e ndjeshme e aksioneve të Nvidia-s u bë shqetësimi kryesor. Aksionet e kompanisë kishin rënë ndjeshëm që prej largimit të Jensen Huangut, duke tërhequr poshtë edhe tregun më të gjerë dhe duke nxitur frikën se bumi amerikan i inteligjencës artificiale ishte në prag të kolapsit.

Fillimisht, Trumpi kishte hedhur si mundësi emërimin e ish-drejtorit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, në krye të Nvidia-s, me synimin për të rikthyer besimin e tregjeve, por kjo ide nuk u realizua.

Në vend të tij, kompania promovoi drejtoreshën e saj financiare, Colette Kress, në postin më të lartë. Megjithatë, Trumpi ka thënë të hënën se nuk ishte impresionuar nga një intervistë që ajo kishte dhënë javën e kaluar për CNBC.

Në kohën kur Trumpi u kthye të premten nga një udhëtim katërditor në Azi, ku tha se presidenti kinez Xi Jinping kishte shprehur vlerësime të mëdha për Huangun, tregu amerikan i aksioneve ishte në mes të një serie historike prej pesë ditësh radhazi me humbje.

Trumpi, i cili më herët kishte përmendur publikisht mundësinë e rikthimit të Huangut në Nvidia dhe e kishte cilësuar atë si “një legjendë”, ishte këmbëngulur para këshilltarëve dhe zyrtarëve se ai duhej të rikthehej për të ndihmuar në stabilizimin e tregut, i ka thënë CNN-it një burim i njohur me çështjen.

Presidenti ka ngarkuar zëvendëspresidentin Vance që të drejtonte këtë përpjekje, kanë thënë disa burime të njohura me çështjen. Një nga arsyet ishte se nënpresidenti ruante lidhje të ngushta me figura me ndikim në Silicon Valley, të cilat gjithashtu mbështesnin rikthimin e Huangut në krye të Nvidia-s.

Gjatë 72 orëve pasuese, Vance ishte koordinuar drejtpërdrejt me Huangun për të ushtruar presion ndaj bordit të Nvidia-s që ta rikthente atë. Sipas burimeve, ai ka punuar gjithashtu për ta siguruar bordin se qeveria nuk kishte gjetur asnjë provë që Huangu kishte kryer veprime të paligjshme apo të papërshtatshme, të cilat mund të kishin rrezikuar sigurinë kombëtare.

Në këtë përpjekje përfshiheshin edhe sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent. Të dy kishin pasur përplasje në prapaskenë për shkak të bindjes së Bessentit se Departamenti i Tregtisë nuk kishte vepruar mjaftueshëm ashpër për të kufizuar shitjen e çipave drejt Kinës, kanë thënë burimet.

Përveç minimizimit të paralajmërimeve të komunitetit të inteligjencës lidhur me lidhjen jashtëmartesore të Huangut, Vance dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë përsëritur argumentin e Trumpit se Huangu është një talent i jashtëzakonshëm dhe thelbësor për zhvillimin e përparimeve në inteligjencën artificiale, të nevojshme për të ruajtur epërsinë e SHBA-së ndaj Kinës.

Vetëm katër ditë më parë, bordi i Nvidia-s kishte refuzuar publikisht thirrjet për rikthimin e Huangut, gjatë një bisede me investitorët, duke deklaruar se sjellja e tij ishte “në kundërshtim me kodin e sjelljes, standardet dhe normat kulturore të kompanisë”.

Por pas ndërhyrjes intensive të administratës Trump, bordi ka njoftuar zyrtarët të dielën në mbrëmje se do ta ndryshonte qëndrimin dhe do ta shpallte rikthimin e Huangut mëngjesin e ardhshëm.

Njoftimi i papritur të hënën ka shkaktuar festime në disa qarqe të Shtëpisë së Bardhë dhe në të gjithë Silicon Valley-n. Ky ishte rasti më i fundit që tregonte ndikimin politik të një grushti miliarderësh të teknologjisë, përfshirë Huangun, të cilët kanë gëzuar qasje të drejtpërdrejtë te Trumpi.

“Gabimi është korrigjuar”, ka shkruar Elon Musk në një postim në rrjetin X. Trump kishte thënë për CNBC se ishte konsultuar edhe me Muskun për çështjen e Huangut.

Megjithatë, në qarqe të tjera pranë Trumpit, përfshirja e drejtpërdrejtë e presidentit në vendimmarrjen e Nvidia-s ka shkaktuar pakënaqësi dhe ka shtuar shqetësimet për kontrollin e fortë me të cilin administrata pritet të përballet sapo demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar.

“Jensen Huang ka pasur disa lidhje jashtëmartesore, përfshirë me vartëse të tij, si dhe me një person të dyshuar si spiune kineze”, ka shkruar në X senatori republikan Pete Ricketts nga Nebraska.

“Sjellja e tij nuk e justifikon rikthimin në detyrë”, ka shtuar ai.

Huangu kishte udhëhequr përpjekjet e industrisë për të bindur Shtëpinë e Bardhë që të lejonte shitjen e disa prej çipave të saj më të avancuar në Kinë. Kjo fushatë kishte shkaktuar tashmë shqetësim te republikanët që mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës dhe tani po nxit hetime më të gjera për të përcaktuar nëse lidhja e tij me Alice Huangun e kishte lehtësuar kontrabandimin e çipave drejt Kinës.

Natyra e saktë e lidhjeve të Alice Huangut me inteligjencën kineze mbetet e paqartë. Megjithatë, ligji kinez për sigurinë kombëtare kërkon që shtetasit e vendit të ndihmojnë në mbledhjen e informacioneve për inteligjencën, kur u kërkohet një gjë e tillë.

Për disa zyrtarë amerikanë, vetëm ky detyrim ligjor e bënte marrëdhënien e saj me Jensen Huangun një rrezik për kundërzbulimin, potencialisht shumë serioz, për shkak të qasjes së tërthortë që ajo mund të kishte te presidenti amerikan.

Ndër republikanët që prej kohësh kanë mbrojtur një qasje më të ashpër ndaj Kinës është edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili gjatë këtij viti i kishte përcjellë vazhdimisht Trumpit dhe zyrtarëve të tjerë paralajmërime për lidhjen jashtëmartesore të Huangut.

Rubio ka refuzuar të komentojë publikisht gjatë gjithë kësaj çështjeje dhe të hënën nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për rikthimin e Huangut.

Pasojat e pranimit fillestar të Huangut për lidhjen jashtëmartesore kishin përfshirë edhe Lutnickun, të cilin disa zyrtarë të Trumpit e fajësuan shpejt për kundërshtimin fillestar të përpjekjeve për ta vendosur kompaninë Megaspeed të Alice Huangut në listën e zezë.

Departamenti i Tregtisë tani po e shton Megaspeed-in në Listën e Subjekteve të SHBA-së (US Entity List), gjë që do ta kufizojë kompaninë nga marrja e eksporteve amerikane. Kjo pritet të bëhet përmes një njoftimi që do të publikohet të mërkurën në Regjistrin Federal.

Sipas disa këshilltarëve të Trumpit, rikthimi i Huangut në krye të Nvidia-s me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë ka të ngjarë të justifikojë edhe më tej një valë hetimesh në Kongresin e kontrolluar nga demokratët vitin e ardhshëm.

Disa këshilltarë të Trumpit kanë shprehur privatisht shqetësimin se me kalimin e kohës mund të dalin në dritë zbulime të tjera dëmtuese për sjelljen e Huangut.

Huang pritet të dëshmojë publikisht për herë të parë të enjten e ardhshme para Komitetit të Senatit për Çështjet Bankare. Kjo do të bëjë që sjellja e tij dhe vendimi i Trumpit për të mbështetur rikthimin e tij të mbeten në qendër të vëmendjes.

Megjithatë, menjëherë pas fitores së Shtëpisë së Bardhë në këtë çështje, Trump ka shprehur pak shqetësim për pasojat afatgjata. Ai ka thënë për CNBC se më parë aksionet e Nvidia-s kishin qenë në rënie, ndërsa tani po rriteshin.

“Është një raketë që po shkon në drejtimin e duhur dhe po e merr me vete të gjithë tregun”, ka thënë Trumpi.

“Mund të jetë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë”, ka shtuar ai.