Flamuri i Kosovës u ngrit më së larti dy herë gjatë Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026” falë dy medaljeve të arta nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani.
Për herë të tretë, lart u ngrit edhe të enjten gjatë ceremonisë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare.
Flamuri gjigant i Kosovës u vendos përkrah atij të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe Italisë, nikoqires së Lojërave Mesdhetare që përfunduan të enjten mbrëma. Kosova fitoi nëntë medalje. Prej tyre dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Lojërat Mesdhetare pas katër vjetësh do të mbahet në Prishtinë.
Më 8 shtator të vitit 2023, në Heraklion të Greqisë u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Është kjo ngjarja dukshëm më e madhe sportive që do të organizohet në Kosovë. Punët në infrastrukturë dhe në fusha të tjera vlerësohet se do të jenë të mëdha që Prishtina e Kosova të jenë gati për të pritur mijëra sportistë nga shumë vende rreth Mesdheut.
Do të jetë ngjarja më e madhe e organizuar në Kosovë dhe brenda katër vjetësh pritet që të investohen miliona euro në infrastrukturë sportive, për qëllim të zhvillimit të kësaj ngjarjeje.
Ceremonia Mbyllëse e Lojërave Mesdhetare në Taranto nisi me program muzikor, ndërsa vazhdoi me parakalimin sportistëve.
Karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana e kanë mbajtur flamurin e Kosovës në Ceremoninë Mbyllëse.
Pas parakalimit të sportistëve, radha ishte për një tjetër ceremoni, ajo e pranimit të flamurit.
Flamuri i Kosovës u pranua me nderime shtetërore, ndërsa u vendos përkrah atij të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe Italisë.
Pasi flamuri u ngrit në shtizë, u intonua edhe himni i Kosovës. Nga të pranishmit kishte duartrokitje të mëdha.
Gjatë ceremonisë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare, delegacioni i udhëhequr nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pranuar flamurin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Për Kosovën do të jetë paraqitja për herë të katërt në Lojërat Mesdhetare.
Kosova në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” mori pjesë me plot 163 sportistë.
Nëntë prej tyre fituan medalje, që është rekord për Kosovën.
Në debutim në Lojërat Mesdhetare në “Tarragona 2018”, sportistët e Kosovës fituan katër medalje. Dy më shumë i fituan në “Oran 2022”.