Ngjarja më e madhe sportive që i është besuar Kosovës për organizim është vënë në rrezik. Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, kryetarit të Prishtinës dhe atij të Komitetit Olimpik, ka lënë të hapur mundësinë e shqyrtimit që organizimin t’ia besojë një vendi tjetër
Kosova mund ta humbë organizmin më të madh të një ngjarjeje sportive që i është besuar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tek ka publikuar të enjten një letër që ka marrë nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, ka thënë se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, është në rrezik për shkak të vonesës në përmbushjen e obligimeve.
“Si rrjedhojë më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një asambleje të jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e lojërave. Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Rama në Facebook.
Letra është nisur edhe në adresë të kryeministrit Albin Kurti dhe të kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Kurti, që është edhe kryetar i Këshillit të Komitetit Organizativ të kësaj ngjarjeje, është akuzuar nga Rama si përgjegjësi kryesor për moskryerjen e detyrimeve.
Edhe
Ministri Gashani: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030
E bazuar në letrën e dërguar, Kosova nuk i ka kryer garancitë bankare, e që njëra duhej kryer në janar të këtij viti e tjera në qershor.
“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i konsideron rrethanat e lartpërmendura si tregues të qartë të vështirësive serioze nga ana e Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare dhe palëve në zbatimin e duhur të kontratës së qytetit nikoqir dhe amendamentit të tij, dhe në përmbushjen e detyrimeve nga aty, vështirësi të cilat në mënyrë të pashmangshme e vënë në rrezik serioz përgatitjen dhe organizimin e duhur të Lojërave Mesdhetare 2030”, shkruan në letrën e Komitet Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Pas letrës së publikuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani. Ai ka insistuar se “Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030”.
“Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara. Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”, shkruan në reagimin e ministrit Gashani.
Më 8 shtator 2023, në Heraklion të Greqisë u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Kjo është ngjarja dukshëm më e madhe sportive që i është besuar Kosovës për organizim.
Qeveria është zotuar për ndarjen e rreth 250 milionë eurove për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për këtë ngjarje shumësportëshe.
Edhe
Kosova rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare
Edicioni i kaluar i Lojërave Mesdhetare u organizua në Taranto të Italisë.
Kosova u paraqit me numër rekord sportistësh në “Taranto 2026”. Plot 163 sportistë përfaqësuan vendin në ngjarjen mesdhetare.
Tetë prej tyre fituan medalje, në total 9 medalje që është rekord për Kosovën.
Por në “Taranto 2026”, Kosova fitoi më pak medalje të arta se në “Tarragona 2018” dhe “Oran 2022”.
Medaljet e arta u fituan nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani.
Me medalje të argjendtë u stolisën xhudistja Laura Fazliu dhe peshëngritësi Kianoush Rostami. Rostami, që është nga Irani, fitoi dy medalje të argjendta për Kosovën në Lojërat Mesdhetare.
Edhe
Sfida e vërtetë e “Prishtina 2030” – krijimi i sportistëve me nivel
Katër medaljet e bronzta u fituan nga xhudistët, Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi e Flaka Loxha.
Në debutim në Lojërat Mesdhetare në “Tarragona 2018”, sportistët e Kosovës fituan katër medalje. Dy më shumë i fituan në “Oran 2022”.