Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Lojërat Mesdhetare 2030 para dështimit

Si prind i dy sportistëve, për mua ka qenë lajm fantastik që Prishtina kishte fituar të drejtën e organizimit  të Lojërat Mesdhetare në vitin 2030, për më tepër kur njëri prej tyre në atë kohë e përfaqësonte Kosovën në lojërat mesdhetare të vitit 2023 që në atë kohë organizoheshin në Heraklion në Greqi.

Përtej motivimit që kjo ngjarje do t’u jepte sportistëve për t’u përgatitur maksimalisht për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në këtë ngjarje, këtë e shihja si një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e sportit dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive, aq të nevojshme për vendin tonë.

Prandaj, lajmi se kjo ngjarje rrezikon të dështojë është jo vetëm i pabesueshëm, por edhe skandaloz! Është dëshmi e neglizhencës institucionale dhe e mungesës së përgjegjësisë ndaj sportit dhe sportistëve tanë.

Sportistët e Kosovës arrijnë suksese përmes sakrificave të mëdha personale dhe familjare. 

Ata përballen me vështirësi, mungesë kushtesh dhe shumë pengesa tjera, por vazhdojnë të punojnë për ta ngritur lart flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve shpesh duket se mendojnë se detyrën e tyre e kanë kryer me një status në rrjete sociale, një fotografi apo një pritje ceremoniale në objektet zyrtare, pasi sportistët kanë arritur suksesin me forcat e veta.

Sporti nuk ka nevojë për duartrokitje pas suksesit, por për mbështetje, kushte dhe përgjegjësi para atij suksesi.

Nëse Lojërat Mesdhetare dështojnë për shkak të papërgjegjësisë institucionale, kam një lutje për të gjithë sportistët e Kosovës:

Në shenjë proteste, bojkotoni të pritjet ceremoniale të organizuara nga institucionet që nuk e mbështesin sportin në praktikë, por kujtohen për të vetëm kur ka suksese për t’i promovuar

Mos i normalizoni këto sjellje. Mos lejoni që sakrifica juaj të përdoret për fotografi dhe lavdi të përkohshme institucionale. Kërkoni llogaridhënie dhe mbështetje konkrete.

Sportistët tanë meritojnë shumë më tepër se kaq.

Kosova meriton institucione që punojnë për sportin, jo vetëm institucione që fotografohen me sportistët.

(Autori është eskspet i teknologjisë)