Sporte të tjera

Palestra shndërrohet në qendër numërimi, kampioni dy ndeshje evropiane në Luksemburg

Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci

Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, luan me Dudelangen e Luksemburgut në raundin e dytë të Kupës Evropiane. 

Por të dy ndeshjet do të luhen në Dudelange të Luksemburgut. Ndeshja e parë është më 10 tetor, ndërsa e dyta më 11 tetor. Në kushte normale njëra ndeshje do të duhej të zhvillohej në Rahovec.
Përmes një njoftimi të lëshuar të martën, Rahoveci ka thënë se e ka të pamundur të luajë në shtëpi, përkatësisht në palestrën “Mizahir Isma”, që do të jetë në dispozicion të Komisionit Zgjedhor që nga 1 tetori. 

Në fakt për zgjedhjet lokale dhe numërimin e votave do të bllokohen shumica e palestrave në vend që nga 1 tetori, e të paktën deri më 20 tetor. Kjo u ka shkaktuar telashe të shumta klubeve dhe federatave.

“Për shkak të zgjedhjeve, nga nesër palestra ‘Mizahir Isma’ kalon në menaxhim të KQZ-së, rrjedhimisht, nuk mund të zhvillohet asnjë ndeshje aty. Për pasojë, jemi të detyruar që të dyja ndeshjet ndaj ekipit nga Luksemburgu, Dudelange, në kuadër të garave evropiane, t’i zhvillojmë në Luksemburg”, shkruan në njoftimin e Rahovecit.

Në hendboll ka vazhdimisht raste kur skuadrat pajtohen t’i luajnë dy ndeshje evropiane në udhëtim, sidomos kur kanë kundërshtar të fortë përballë. Por Rahoveci në edicionet e kaluara, njëjtë si Besa Famgas, nuk ka hequr dorë nga ndeshja në shtëpi.