Sporte të tjera

Shumë ndeshje evropiane, pak shpresë për sukses

kupa

Plot katër skuadra kosovare të hendbollisteve garojnë në gara evropiane. Madje që të gjitha kanë ndeshje të shtunën (nesër).

Istogu, Samadrexha, Ferizaj e Shqiponja garojnë në Kupën Evropiane për hendbolliste. “EHF European Cup” është niveli i tretë i garave kontinentale për skuadra të hendbollit.

Të gjitha paraqiten në raundin e dytë, që është në fakt i pari për edicionin 2025/2026.

Derisa në sportet tjera skuadrat e femrave paraqiten më pak në garat evropiane, në hendboll çdo vit në kupat kontinentale garojnë tri apo katër skuadra kosovare. Por sukseset janë të rralla.

Edhe këtë edicion nuk ka shumë shpresë për sukses. Të paktën për tri prej katër skuadrave.  

Kampioni i Kosovës, Istogu, përballë do ta ketë skuadrën greke, AEP Panorama. Të dy ndeshjet zhvillohen në palestrën “Dresha” në Banjë të Pejës. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 19:00, kurse e dyta të dielën në termin të njëjtë.

Istogu vazhdon të sfidohet shumë seriozisht për shkak të shkatërrimit e më pas renovimit të tejzgjatur të palestrës në këtë qytet. Renovimi që ka nisur disa vjet më parë, nuk është as afër përfundimit.

Rrjedhimisht KHF Istogu kishte planifikuar të luante në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Por edhe atje iu pamundësua paraqitja evropiane për shkak të vendimit fillestar që ajo palestër dhe shumë të tjera të shfrytëzohen për zgjedhjet lokale, përkatësisht për numërimin e votave. Ai vendim tashmë është ndryshuar dhe një pjesë e palestrave do të mbesin në dispozicion të sportistëve.

Por Istogu është detyruar që ndeshjet evropiane t’i organizojë në palestrën në Banjë, që me shumë mund është përgatitur për të plotësuar kriteret minimale të kërkuara nga Federata Evropiane.

Ndonëse pa palestër, Istogu vazhdimisht paraqitet në gara evropiane. Nuk ka munguar asnjëherë që nga viti 2017, kurse në katër raste ka kaluar nga një rival evropian. Skuadra greke AEP Panorama tri herë ka garuar në Evropë. Vetëm në një rast e ka kaluar një kundërshtar. Rrjedhimisht Istogu vlerësohet favorit.

Dy skuadra që kanë palestra në dispozicion, Samadrexha e Ferizaj, kanë vendosur që të dy ndeshjet evropiane t’i luajnë në udhëtim. Samadrexha përballet me PAOK-un grek, ndërsa ndeshjet janë në Veria, të shtunën nga ora 18:30 dhe të dielën nga ora 17:30.

PAOK-u është skuadër e nivelit dukshëm më të lartë se AEP Panorama dhe vlerësohet favorit ndaj Samadrexhës. 

Ndërkohë Ferizaj do të paraqitet në Itali. Të shtunën e të dielën nga ora 18:00 ferizajaset përballen me skuadrën Jomi Salerno, që ka përvojë të gjatë në garat kontinentale. Ndeshjet luhen në Salerno. 
Ferizaj plot pesë herë ka garuar në Evropë, ndërsa ka humbur të gjitha dhjetë ndeshjet. Shumë prej tyre i humbi me rezultat bindës. 

Në hendboll lejohet që dy ndeshje evropiane të së njëjtës xhiro të luhen në një vend. Por skuadrat kryesisht pajtohen për dy ndeshje në udhëtim kur nuk kanë gjasa për sukses, apo në pak raste kur vlerësohen dukshëm më cilësore se kundërshtari.

Vetëm Shqiponja e Gjakovës ka vendosur për një ndeshje në udhëtim e një në shtëpi.

Të dielën e kaluar në Schaffhausen të Zvicrës, Shqiponja pësoi thellë, 38:23, nga Yellow Winterthur.

Ndeshja e kthimit është të shtunën nga ora 16:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Por më shumë pritet të jetë formalitet. Winterthuri pritet ta konfirmojë kalimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane.