Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Rahoveci pëson humbje të thellë në Luksemburg

KH Rahoveci

Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, e ka humbur thellë ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Të premten mbrëma në Luksemburg, Rahoveci humbi 41:34 nga Dudelange. “Vreshtarët” nisën mirë ndeshjen, por shpejt në epërsi kaloi skuadra nga Luksemburgu, që e mbajti deri në fund.

Në fund të pjesës së parë Dudelange ishte në epërsi prej dy golave, 18:16. Njëjtë loja vazhdoi edhe në dhjetëminutëshin e parë të pjesës së dytë.  

Pas minutës së 40-të, Dudelange nisi shkëputjen më të madhe në rezultat. Madje krijoi epërsi prej plot 11 golave, 37:26. Në fund dallimi ishte shtatë gola.

Rahoveci është paraqitur pa lojtarin kryesor, Egzon Gjuka, që është i lënduar.

Arbios Mushkolaj i shënoi 11 gola për Rahovecin. Ai i kishte 19 tentime. Shtatë gola nga shtatë tentime i realizoi Mali Luzha, ndërsa nga katër gola i kishin Vlerson Zherka e Rron Ramadani. Në tre gola u ndalën Ardit Tafilaj e Granit Kadiri, ndërsa nga një e shënuan Lulzim Shabani e Hamdi Salihu. Tetë pritje i kishte Arbër Curri.

Ndeshja e dytë mes Rahovecit e Dudelanges zhvillohet të shtunën prej orës 20:30, po në Luksemburg.

Edhe Palestra shndërrohet në qendër numërimi, kampioni dy ndeshje evropiane në Luksemburg Sporte të tjera Palestra shndërrohet në qendër numërimi, kampioni dy ndeshje evropiane në Luksemburg

Rahoveci ka vendosur që dy ndeshjet t’i luajë në Luksemburg për shkak të shfrytëzimit të palestrës “Mizahir Isma” për zgjedhjet lokale.

Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit. Besa Famgas filloi prej raundit të parë dhe kaloi kundërshtar nga Turqia. Në raundin e dytë pos Rahovecit e Besa Famgasit paraqitet edhe Kastrioti i Ferizajt.

Në konkurrencë të femrat plot katër skuadra u paraqitën në EHF European Cup. Vetëm Istogu e kaloi kundërshtarin e parë. Samadrexha, Ferizaj dhe Shqiponja janë eliminuar.