Pos për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll, fundjava nuk ishte e suksesshme as për skuadrat kosovare të hendbollit. Në fundjavë dy prej skuadrave kryesore në vend u ndalën në skenën evropiane.
Fituesi i Kupës së Kosovës te hendbollistët, Kastrioti i Ferizajt, u eliminua nga kampioni i Luksemburgut, Differdange. Ndeshjet e Kastriotit ishin të premten e të shtunën.
Ndërkohë të dielën Besa Famgas luajti me kampionin e Bosnjë-Hercegovinës, Izvigjaçin. Ndeshja në palestrën “Karagaçi” në Pejë përfundoi 32:32. Por ekipi boshnjak avancoi në raundin e tretë të Kupës Evropiane falë fitore 40:19 në ndeshjen e parë të luajtur para një jave në shtëpi. Ajo fitore thuajse e kishte mbyllur sfidën pas ndeshjes së parë.
Të dielën, Izvigjaçi krijoi epërsi prej katër golash pas pjesës së parë, 16:12. Në të dytën Besa reagoi duke barazuar në fund, 32:32.
Elion Vokshi ishte më efikasi te Besa Famgas me nëntë gola. Tetë i kishte Deniz Terziqi.
Skuadra pejanë në raundin e parë të Kupës Evropiane e eliminoi skuadrën turke Depsas Enerji.
Ndërkohë Kastrioti e nisi garimin prej raundit të dytë. Të premten në Lipjan humbi 31:28 nga Red Boys Differdange. Ndërkohë të shtunën u kthye në shtëpinë e tij, në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Por sërish humbi me tre gola dallim, 29:26. Kështu ferizajasit nuk përfituan nga zhvillimi i dy ndeshjeve në Kosovë.
Në raundin e dytë të Kupës Evropiane është ndalur edhe kampioni Rahoveci. “Vreshtarët” i kanë humbur dy ndeshje në Luksemburg nga skuadra Dudelange.