Të dielën mund të përfundojë edicioni në volejbollin kosovar. Në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, nga ora 17:00, luhet ndeshja e katërt e serisë finale të plejofit në Superligën e meshkujve ndërmjet skuadrave Prishtina Volley e Luboteni.
Nëse Luboteni i Ferizajt e fiton këtë ndeshje, atëherë e siguron titullin e kampionit. Luboteni është duke udhëhequr 2:1 në serinë finale, shkruan sot “Koha Ditore”. E kishte humbur ndeshjen e parë në Ferizaj, por më pas kishte fituar në Prishtinë dhe sërish në Ferizaj.
Prishtina e ka synim që të shtyjë serinë deri në ndeshjen e pestë, që do të luhet mesjavën e ardhshme në Ferizaj.
Te volejbollistet tashmë ka përfunduar edicioni. Titullin e kampionit e ka fituar Drita e Gjilanit. Ndeshjen e fundit Drita e fitoi në palestrën e mbushur me shikues në Gjilan ndaj M-Technologie.