Formula 1 të enjten ka thënë se po e monitoron situatën pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Ndërkohë, piloti i skuderisë Aston Martin, gjermani Sebastian Vettel ka thënë se nuk do të garojë për çmimin e madh të Rusisë, garë që është planifikuar të mbahet më 25 shtator në Sochi.
Po ashtu, Vettel ka kërkuar edhe nga Bordi i F1 që të marrë vendim për ta larguar garën e Rusisë nga kalendari i këtij viti.
Gjermani është kampion i katërfishtë në F1.
“Unë nuk do të shkoj dhe nuk do të garoj. Në fakt, ne nuk duhet ta mbajmë fare garën në Rusi. Po ashtu, më vjen shumë keq për njerëzit e pafajshëm”, është shprehur Vettel, i cili ka thënë se ka mbetur i shokuar me sulmet ruse ndaj Ukrainës.
“Vendimin tim, tashmë e kam marrë”.
Pas Vettelit, kanë reaguar edhe pilotët tjerë të Formula 1. Kampioni në fuqi, Max Verstappen ka thënë se nuk është korrekte që gara të mbahet në Rusi ndërsa Fernando Alonso ka shtuar se gjasat janë të mëdha që të gjithë pilotët të marrin vendim për ta bojkotuar atë garë.