Qendërmbrojtësi francez Samuel Umtiti nuk po dëshiron të largohet nga skuadra e Barcelonës. “Mundo Deportivo” ka njoftuar të premten se Umtiti ka refuzuar kalimin te Benfica, pavarësisht se ekipi portugez kishte arritur marrëveshje me Barcelonën për transferimin e tij.
Benfica kishte ofruar dhjetë milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit, por mësohet se Umtiti është i vendosur të mbetet në “Camp Nou” dhe të luftojë për një vend titullari për sezonin e ri.
Umtiti ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2023, dhe është njëri prej lojtarëve që Barcelona po dëshiron ta largojë pasi nuk bën pjesë në planet e klubit. Sezonin e shkuar, ai pati vetëm 16 ndeshje për Barçën në të gjitha garat.