Klubi nga Serie A, Udinese, ka paralajmëruar se do të punoj fort për të identifikuar tifozët që fyen në baza racore portierin e Milanit, Mike Maignan dhe se do t’i dënojë përjetë ata.
Udinese ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra nga autoritetet, pasi edhe një vikend tjetër i futbollit italian mbeti nën hijen e sjelljeve të tifozëve. Maignan u largua nga fusha të shtunën në ndeshjen kampionale ndaj Udineses, pasi ishte shënjestër e thirrjeve raciste nga tifozët. 28-vjeçarit iu bashkuan edhe lojtarët e tjerë të Milanit dhe ndeshja u ndërpre prej rreth dhjetë minuta, përpara se të rifillojë dhe Milani të fitojë 3:2.
Një vendim për gjobë ndaj Udineses pritet nga gjykata sportive e Italisë, të martën. Në fillim të këtij muaji Lazios i është mbyllur një pjesë e stadiumit për një ndeshje për shkak të thirrjeve raciste ndaj Romelu Lukakut. Autoritetet gjithashtu mund të ndajnë edhe dënime individuale, duke i dënuar tifozët deri në pesë vjet.
“Ne jemi duke punuar për të gjetur ata tifozë që ishin përgjegjës për atë veprim ndaj portierit të Milanit dhe besojmë se nuk mund të jenë më shumë se tre persona. Nuk kishte thirrje raciste në kor, por ishin disa persona të cilën do t’i gjejmë dhe do t’i suspendojmë përjetë nga stadiumi ynë”, ka thënë menaxheri gjeneral i Udineses, Franco Collavino. “Ne tashmë po i shikojmë të gjitha kamerat dhe së shpejti do ti zbulojmë ata persona”.
Portieri Maignan ka marrë përkrahje nga e gjithë bota e futbollit pas atij incidenti, ndërsa francezi edhe vetë ka dalë me një kërkesë. Ai ka kërkuar nga autoritetet që të jenë më të ashpra sa u përket dënimeve për thirrjet raciste.
Edhe
Përjashtim pesëvjeçar nga stadiumet për tifozët që fyen Maignanin
Maignan është përkrahur edhe nga Umberto Calcagno, kreu i shoqatës së futbollistëve të Italisë.
“Luftimi i kësaj forme të injorimit është shumë i vështirë por ne mund ta luftojmë nëse federata dhe shteti kanë rregulla më të ashpra. Për të mos ndodhur ajo që i ndodhi Maignanit ne presim që këtë herë të reagojnë si federata ashtu edhe autoritetet e shtetit”, është shprehur Calcagno.
FIFA tashmë ka kërkuar që të aplikohet procesi i tri fazave nëse një ndeshje ndërpritet për shkak të thirrjeve raciste. Ndeshja do të pezullohet dy herë për t’i paralajmëruar tifozët, përpara se herën e tretë të ndërpritet tërësisht.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se secili ekip ka të drejtën ta ndërpret ndeshjen menjëherë, nëse bëhen thirrje raciste nga tribunat.
“Kjo ide e presidentit të FIFA-s duhet të bëhet rregull. Dhe, nëse ndeshja ndërpritet për thirrje raciste, besoj se nuk do të shihnim më skena të tilla. Shpresoj që FIFA ta bëjë këtë rregull të detyrueshëm për klubet”, ka theksuar kreu i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina. “Ndërprerja e ndeshjes aty për aty, do të ishte një mesazh i fuqishëm për të gjithë”.
Vitet e fundit ka pasur shumë incidente raciste si në futbollin italian ashtu edhe atë evropian, me rastet tashmë të njohura në Itali si Kevin-Prince Boateng, Mario Balotelli, Romelu Lukaku e të tjerë.
Megjithatë, një moment më i rrezikshëm ishte në Salerno kur tifozët e Salernitanas gjuajtën me gjëra të forta në drejtim të lojtarëve të Genoas, të cilët po festonin golin e Mateo Reteguit. Madje, Retegui u qëllua por për fat të mirë ishte çokollatë dhe nuk ishte ndonjë objekt më i rëndë.
Genoa e mposhti Salernitanan 2:1.
Edhe
Infantino bën thirrje për masa më të ashpra për racizëm
“Ne po festonim kur papritmas tifozët e Salernitanas filluan të na gjuanin me gjësende dhe vërtet ishte shumë e rrezikshme. Për fat të mirë askush nuk u lëndua”, është shprehur bashkëlojtari i Reteguit, Kevin Strootman.
Edhe ndaj Salernitanas pritet që të shqiptohet gjoba nga gjykata sportive e Italisë gjatë ditës së martë.