Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Infantino bën thirrje për masa më të ashpra për racizëm

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë thirrje që të merren masa më të ashpra për racizëm, përfshirë edhe humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar për ekipet tifozët e të cilave bëjnë fyerje raciste, raporton BBC.

Thirrja e Infantinos vjen pas incidenteve në ndeshjet Udinese – Milan e Sheffield Wednesday – Coventry City.

Ndeshja Udinese – Milan ishte pezulluar për disa minuta pas fyerjeve raciste që tifozët vendas i drejtuan te portieri i Milanit, Mike Maignan.

Ndërkohë futbollisti i Coventryt, Kasey Palmer, kishte marrë fyerje të ngjashme nga tifozët e Sheffieldit.

Infantino në një postim në platformën “X” ka thënë se duhet marrë masa më të ashpra.

“Pos procesit trefazësh (ndalim i ndeshjes, rindalim i ndeshjes dhe braktisje e ndeshjes), ne duhet të zbatojmë edhe regjistrim të ndeshjes me rezultat zyrtar në dëm të skuadrës tifozët e të cilës kanë kryer fyerje raciste dhe kanë shkaktuar braktisjen e ndeshjes. Po ashtu edhe ndalim mbarë botëror nga stadiumet e futbollit dhe padi penale për racistët. FIFA dhe futbolli shfaq solidaritet të plotë për viktimat e racizmit apo të çfarëdo forme të diskriminimit. Një herë e përgjithmonë: Jo racizëm! Jo ndaj çfarëdo forme të diskriminimit”, ka shkruar Infantino.