Sport

Trepça kthen njërin prej hendbollistëve më të mirë në vend

Klubi i hendbollit Trepça ka nisur vitin me një transferim të rëndësishëm. Të dielën klubi mitrovicas ka njoftuar se ka firmosur me Deniz Terziqin, njërin prej hendbollistëve më të mirë në Kosovë. Terziqi deri më tani ishte te Besa Famgas, por në muajt e fundit është aktivizuar fare pak. Ai më herët ka luajtur me sukses edhe te Prishtina e Kastrioti.

Terziqi luan në pozitën e bekut të majtë, ndërsa është prodhim i Trepçës.

Kalimi në klubin e fëmijërisë pritet t’i shërbejë shumë edhe hendbollistit. Ai ka kohë që nuk po ftohet as në përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa ndërrimi i mjedisit mund të jetë pikë kthese edhe për karrierën e Terziqit. Trepça stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e tretë me tetë fitore e pesë humbje. Do të synojë më shumë në pranverë.