Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Trepça e fiton gjysmëfinalen e parë ndaj Prishtinës

Pasi e fitoi Kupën e Kosovës pas 21 vjetësh, skuadra e Trepçës në hendboll e ka fituar edhe ndeshjen e parë të gjysmëfinales së plejofit.

Trepça të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në praninë e rreth 1500 shikuesve, mposhti Prishtinën me rezultatin 32:29.

Tani i duhet vetëm edhe një fitore apo një barazim nga ndeshja kthyese, për ta siguruar finalen e plejofit.

Mitrovicasit edhe në rrugën për të triumfuar në Kupë të dielën ndaj Besa Famgasit, e kishte eliminuar në gjysmëfinale Prishtinën.

Trepça në sezonin e rregullt të kampionatit përfundoi në vendin e dytë dhe e ka epërsinë e terrenit vendës, pasi Prishtina përfundoi e treta. Ndeshja kthyese zhvillohet të dielën në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, nga ora 16:00.

Trepça nisi më mirë duke krijuar shkuar në seri prej 4:0. Prishtinasit më pas u kthyen, ndërsa pas minutës së 17-të, krijuan epërsi 9:8.

Të udhëhequrit e Taib Kabashit rikthyen epërsinë, ndërsa pjesën e parë e mbyllën me një gol epërsi, 17:16.

Në pjesën e dytë, mitrovicasit ishin gjatë gjithë kohës në epërsi, por ajo nuk shkoi më shumë se katër gola.

Në fund, fituan me tri gola epërsi, 32:29.

Më i dalluari në fitoren e Trepçës ishte Deniz Terziqi që shënoi 11-të gola. Nga shtatë gola realizuan Lulëzim Shabani dhe Yassine Henahen.

Te “bardhekaltrit”, 10-të gola i realizoi Enis Kuleta, kurse Sergio Barreto pati gjashtë të tjera. Por këto nuk i mjaftuan prishtinasve ta shmangin disfatën.

Besa Famgas në gjysmëfinalen tjetër luan të enjten në orën 17:00 kundër Vushtrrisë. Ballafaqimi i parë luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Besa Famgas llogaritet favorite e madhe për të kaluar në finale.

Artikuj të ngjashëm