Stërvitja e përbashkët e Elhami, Benjamin dhe Shpresim Shabanit nuk është e jashtëzakonshme. Këtë e bëjnë gati çdo ditë në klubin e tyre të karatesë në Gjilan. Por e veçantë për tre vëllezërit Shabani nga Gjilani do të jetë paraqitja për herë të dytë e përbashkët në një ngjarje të madhe të sportit të karatesë.
Vëllezërit Shabani janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës që do të paraqitet në Kampionatin Botëror që nis të martën dhe përfundon më 29 tetor. Ngjarja më e madhe e sportit të karatesë do të mbahet në Budapest të Hungarisë.
Elhamiu, Benjamini dhe Shpresimi janë paraqitur së bashku edhe në Evropianin e mbajtur vitin e kaluar në Gaziantep të Turqisë. Elhami Shabani e pati fituar medaljen e bronztë evropiane, ndërsa medalje synon edhe në Botëror.
Medalje synon edhe Benjamin Shabani. Për Benjaminin, Budapesti nuk është qytet i panjohur sa i përket suksesit. 24-vjeçari është fitues i medaljes së bronztë në Evropianin për të rinj, pikërisht në këtë qytet. Ai garon në kategorinë mbi 84 kilogramë. Benjamin Shabani thotë se është krenari pjesëmarrja e përbashkët e vëllezërve në një Evropian.
“Është kënaqësi shumë e madhe. Është kënaqësi për neve, është kënaqësi për prindërit tanë të cilët gjithë mundin që e kanë dhënë për ne, po besoj se po ua shpërblejmë. Dihet, Elhamiu në Kampionatin Evropian e ka vendin e tretë për seniorë. Unë e kam vendin e tretë në Evropian U21. Do të thotë se jemi duke u munduar t’ua shpërblejmë mundin e tyre, por jemi duke u munduar edhe të sjellim medalje për Kosovën”, ka thënë Benjamin Shabani.
Karateistët e Kosovës zhvilluan stërvitje të përbashkët në një hotel në Gjakovë para nisjes për në Budapest.
Elhami Shabani mungoi të enjten në stërvitjen e fundit të Kosovës para nisjes për në kryeqyteti hungarez. Ai u lirua për shkak të angazhimeve në punë.
“Është një ndjenjë shumë e veçantë, një ndjenjë shumë e mirë. Përgatitjet i kemi filluar shumë herët edhe pse nuk e kemi pasur rastin tash një vit e gjysmë për të shkuar nëpër gara. Por, përgatitjet nuk i kemi ndalur. Edhe muajin e kaluar e kemi mbajtur një kamp, edhe këtë muaj e kemi mbajtur një kamp, gjë për të cilën e falënderojmë kryetarin Besart Baruti për mundësimin e këtyre kampeve të cilat janë ndihmesë shumë e madhe për ne për këtë Kampionat Botëror. I falënderojmë po ashtu edhe trajnerin Isak Curri, selektorin Muhamet Rexhepi, dhe trajnerin Isak Latifi. Kampi ka shkuar gjithçka në mënyrë të përkryer dhe ma merr mendja se jemi të përgatitur në mënyrën më të mirë”, është shprehur Benjamin Shabani.
Benjaminit dhe karateistëve të tjerë të Kosovës u kanë munguar pjesëmarrjet në ngjarje të ndryshme. Së fundi garuan në Tiranë, në Kampionatin Ballkanik. U fituan vetëm dy medalje të bronzta. Synimet janë më të mëdha në Botëror.
“Potencial kemi jashtëzakonisht të madh. Tash ne mund të na penalizojë mungesa e garave, sepse ka një vit e gjysmë që nuk kemi pasur mundësi të marrim pjesë nëpër gara. Por, potencial kemi. Mund t’i mposhtim ata garues të cilët do të marrin pjesë në Botëror. Besoj se mund të marrim medalje. Do ta bëjmë më të mirën”, ka thënë Benjamin Shabani .
Elhamiu, Benjamini dhe Shpresimi do të jenë bashkë edhe në garën ekipore. Krenar që përfaqëson Kosovën është edhe Shpresimi.
“Jam njëri prej tre vëllezërve Shabani. Është një ndjenjë e pa përshkruar për t’i pasur në krah të dy vëllezërit. Besoj se do të kemi rezultatet e vëllait të madh që i pati në Kampionatin Evropian. Është ndjesi e papërshkrueshme për mua”, ka thënë Shpresimi.
Shpresimi është më i vogli i familjes Shabani. Ai është 23-vjeçar, ndërsa paraqitet në kategorinë deri 67 kilogramë. Shpresimi numëron sukseset e dy vëllezërve më të mëdhenj.
“Jam më i vogli nga tre vëllezërit dhe marr më shumë këshilla prej tyre duke marrë parasysh se këta kanë përvojë pak më shumë. Vëllai i madh është edhe medalist evropian, vëllai tjetër është edhe ai medalist evropian për grupmoshën U21. Mendoj se këto këshilla prej tyre do të më bëjnë shumë më të fortë”, ka thënë Shpresim Shabani.
Ai pret një ditë t’i arrijë sukseset e vëllezërve më të mëdhenj. Pse jo edhe t’ua kaloj atyre.