Sport

Karateistët e motivuar për paraqitje të mirë në Botëror

Salla në një hotel në Gjakovë ishte vendi ku karateistët e Kosovës përfunduan stërvitjen e fundit para nisjes për në Budapest të Hungarisë, ku javën e ardhshme do të mbahet Kampionati Botëror. “Salla” e improvizuar e karatesë ishte e vogël. Por synimet e karateistëve të Kosovës janë të mëdha në Botëror. Pretendohet edhe medalje në Budapest.

Megjithatë, përzgjedhësi i karatesë, Muhamet Rexhepi, pranon se karateistët e Kosovës i pret garë e fortë për të siguruar medalje.

Rexhepi është i kënaqur me formën që kanë treguar karateistët gjatë grumbullimit në Gjakovë.

“Përgatitjet kanë shkuar sipas planit. Kanë qenë me intensitet pak më të lartë sepse po na pret ngjarja kryesore, Kampionati Botëror. Jam i kënaqur me arritjen e formës. Po synojmë të arrijmë pikën maksimale të formës në kampionat”, ka thënë Rexhepi.

Në stërvitjen e fundit munguan Elhami Shabani dhe Njomëza Ibrahimi. Të dy u liruan me leje për shkak të angazhimeve në punë. Megjithatë, selektori Rexhepi thotë se shpresat më të mëdha për medalje i kanë te Shabani. Shabani vitin e kaluar fitoi medalje të bronztë evropiane.

“Gjithmonë shpresat ekzistojnë. Duhet të jemi realë. Unë e kam marrë postin e selektorit tash e dy muaj. Shumica kalojnë prej juniorëve në seniorë. Kërkohet një përvojë pak më e madhe. Shpresat për medalje ekzistojnë”, ka theksuar Rexhepi.

Ai parasheh të ardhme të ndritur te gjenerata aktuale e karatesë.

“Pas dy vjetëve premtojmë që do të bëhemi fuqi ose ekip që konkurron në nivele botërore”, ka thënë Rexhepi.

Për herë të parë pjesëmarrëse në një Botëror për seniore është Vlera Qerimi e kategorisë deri 68 kilogramë.

“Është hera e parë për mua në Kampionat Botëror për seniore. Normal, jam duke shkuar për ta dhënë më të mirën. Shpresoj që të kthehemi me rezultat dhe normal, pse të mos marrim edhe medalje”, ka thënë Qerimi.

I motivuar për sukses është edhe Endrit Beka. Beka fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në Tiranë. Ai fitoi në kategorinë deri 75 kilogramë, ndërsa për Botëror është paraqitur në kategorinë deri 84 kilogramë. Krahas Bekës, medalje të bronztë fitoi edhe Fortesa Orana. Ajo fitoi medaljen në kategorinë mbi 68 kilogramë

“Jam munduar gjatë gjithë kohës të qëndroj në formë, të përmirësohem e të përmirësohem. Mendoj që jam në formë të mirë. Gjasat tash janë në Kampionatin Botëror, gjithmonë nisem për të fituar. Por, tash pak nevojitet edhe fati sportiv dhe të tjera gjëra që nuk mund t’i parashikoj. Por besoj se do ta jap më të mirën dhe pse jo, t’i sjell rezultat Kosovës”, ka thënë Beka.

Kosova në Botëror do të paraqitet me gjithsej 14 garues. Por jo të gjithë më të mirët do të paraqiten në Botëror.

Sipas Avni Gashit, paraqitja në Botëror u është mohuar Melos Gashit, Elmedina Istogut, Redona Gashit, Djellza Sejdijajt, Betim Maliqit, Behije Mustafës, Fatjon Bajramit, Dren Ibrahimit, vetëm pse trajnerët apo klubet e tyre kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të mbajtur javë më parë. Por Rexhepi pretendon se nuk ka bërë ndasi. Ai ka përfshirë karateistët me meritë.

Karateja kosovare ka muaj që është ndarë në dy grupime. Dhe si gjithnjë çmimin e paguajnë sportistët. Melos Gashi ka vendosur ta përfaqësojë Shqipërinë në të ardhmen. Për shkak të ndarjeve dhe telasheve, ka pasur edhe më herët largime nga Kosova. Alvin Karaqi, Orges Arifi dhe Blodin Pakashtica u larguan nga Kosova për të garuar për Shqipërinë.