Sport

Karateistët udhëtuan me synime të mëdha, por u kthyen pa medalje nga Botërori

Pritjet për të fituar medalje në Botërorin e karatesë për kadetë, juniorë dhe garuesit deri 21 vjet ishin të mëdha nga Federata e Karatesë e Kosovës (FKK).

“Si një trup i vetëm me sytë dhe mendjen drejt medaljeve botërore, Përfaqësuesja e karatesë e Kosovës niset drejt Kampionatit botëror të karatesë për kadetë, juniorë dhe U21, i cili do të mbahet nga 26 deri më 30 tetor në Konya të Turqisë. Zoti do ua shpërblejë garuesve, trajnerëve, prindërve, Federatës së Karatesë së Kosovës, si dhe gjithë Kosovës. Suksese kampiona”, shkroi FKK-ja ditë më parë.

Ekipi i gjerë i garuesve bashkë me trajnerë dhe zyrtarë të FKK-së u nis drejt Turqisë më 24 tetor, ndërsa u kthye të dielën.

Ekipi i karatesë së Kosovës nga Turqia u kthye duarbosh – pa medalje.

Kosova kishte dy vende të pesta, dy vende të shtata dhe një vend të nëntë. Por jo edhe medalje.

Behije Mustafa dhe Rinesa Osmani të dielën luftuan për medalje të bronztë për juniorë. Dy karateistet e reja nuk ia dolën përballë kundërshtareve të tyre, dhe kështu Kosova mbeti pa medaljet e synuara.

Pritjet nga FKK-ja për medalje u rritën pas të artës në Evropian që Islam Selmani e fitoi në qershor në Pragë të Çekisë. Në Evropianin e vitit të kaluar Kosova fitoi dy medalje të bronzta.

Selmani nuk mori pjesë në Botëror.

Sekretari i FKK-së, Nazmi Gashi, të dielën konfirmoi se pritjet ishin të mëdha për medalje nga Botërori i Turqisë.

“Pritje për medalje kemi pasur. Kemi pasur dy luftëra për medalje të bronztë, ku përfunduam me dy vende të pesta, dy vende të shtata dhe një vend të nëntë, që mendoj se është sukses. Mirëpo realisht kemi pritur edhe medalje”, ka thënë Gashi për KOHËN.

Në vitet e fundit janë fituar disa medalje në Botërore dhe Evropiane nga sporti i karatesë. Paraqitja e karateistëve bëhet në numër të madh në garat e rëndësishme.

Edhe trajneri Isak Curri, dikur selektor, thotë se nuk janë realizuar pritjet.

“Nga klubi ynë ishin pesë garues. Dhe nga të gjithë kam pritur rezultate pozitive. Rinesa tregoi edhe një herë që ka potencial dhe një të ardhme të sigurt në nivel botëror. Nga egjiptiania humbi në sekondat e fundit me pikë, kurse në luftën për vend të tretë me boshnjaken ishin në nivelin e njëjtë, por fati nuk ishte me Rinesën. Jam i kënaqur me paraqitjen dhe besoj që kjo në të ardhme do të marrë medalje botërore”, ka thënë Curri. Edhe ai ishte në Turqi.

Ndërkohë trajneri Qendrim Shaqiri ka pasur pritje se garuesja e tij, Behije Mustafa do të fitojë medalje edhe në Botëror. Ajo vitin e kaluar fitoi të bronztën në Evropianin për të rinj.

“Kam besuar në Behijen se do të arrijë fitore dhe të stoliset me medalje. Paraqitja ka qenë brilante, superiore, por ishte e pafat në rezultatin përfundimtar. Ajo përfundoi e pesta e botës. Kemi qenë të përgatitur si ekip maksimalisht, por mbetëm pa medalje. Shpresojmë herën tjetër. I uroj kampionët e mi dhe ecim para”, ka thënë Shaqiri, që në Botëror kishte edhe dy garues tjerë.

Kosova në nivel senior ka dy medalje të bronzta në Evropian. Së fundi e fitoi Elhami Shabani, ndërsa para tij Herolind Nishevci. Nishevci ka edhe të bronztë në Botëror. Në Federatë presin shumë nga gjenerata në ardhje.