Kosova është krenuar dhe vazhdon të krenohet me arritjet e xhudistëve. Medaljet nga Lojërat Olimpike, Kampionate Botërore dhe Kampionatet Evropiane janë fituar me punë të madhe nga kryemjeshtri Driton Kuka me nxënësit e tij.
Falë punës së madhe në klubet kosovare edhe në karate kohë pas kohe janë arritur rezultate kulmore. Dhe arritja më e madhe është ajo e fundjavës së kaluar – medalja e argjendtë botërore e talentit Islam Selmani.
20-vjeçari Selmani, anëtar i klubit AS-Prishtina nga Bardhoshi, shkëlqeu në kategorinë deri 60 kilogramë. Botërori i karatesë u mbajt në Kajro të Egjiptit. Ky nuk ishte suksesi i vetëm kulmor i karateistëve gjatë 2025-tës.
Më herët gjatë këtij viti karateisti Betimi Maliqi fitoi medalje të bronztë në Evropianin që u mbajt në Jerevan të Armenisë.
Kosova ishte e suksesshme edhe në garat ekipore në Evropian.
Pas të bronztës në Botërorin e vitit 2023, Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe dy karateistet e tjera të Kosovës, Elmedina Istogu dhe Behije Mustafa, fituan medalje të bronztë në Evropianin në Jerevan.
Medalje në Evropianin për grupmosha të reja, përkatësisht për karateistët kadetë, juniorë dhe të grupmoshës U21, janë fituar edhe nga karateistë të tjerë të vendit.
Vite më parë medalje të bronzta për seniorë kanë fituar edhe Herolind Nishevci në Botëror dhe Elhami Shabani në Evropian.
Arritje nga ngjarjet e mëdha të karatesë kanë edhe Alvin Karaqi dhe Orges Arifi. Karaqi e Arifi përfaqësojnë Shqipërinë, por karrierën e kanë zhvilluar në Prishtinë.
Selektori i Kosovës në karate, Isak Curri, insiston se rezultati i Islamit dhe rezultatet e të tjerëve nuk janë të rastësishme.
“Rezultatet e fundit nuk janë të rastësishme. Është punuar shumë dhe përveç punës edhe atmosfera është shumë e mirë. Secili e ndien veten mirë, të lirë dhe ka përkrahjen si nga Federata ashtu edhe nga trajnerët. Tashmë secili sportist po e ndien veten të lirë me trajnerët dhe selektorët. Kemi pasur një demokraci më të madhe dhe kemi pasur kujdes për shkak të rrethanave që kemi kaluar për të mos dyshuar se do të jemi hakmarrës. Kemi punuar shumë në këtë aspekt. Të gjithë ne e po ashtu edhe klubet kanë pasur ndikim që ne të kemi rezultate kulmore. Secili ka kryer punën e vet, duke nisur nga presidenti i Federatës deri te trajnerët”, ka thënë Curri për KOHËN të hënën.
Më herët ka pasur përplasje në komunitetin e karatesë. Ato sollën largimin e Karaqit, Arifit dhe disa karateistëve të tjerë cilësorë.
“Orgesi, Alvini dhe të tjerët janë brumë i joni. Ata kanë stërvitur këtu, vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Janë rritur këtu. Ata janë të Kosovës. Kosova momentalisht është me suksese të jashtëzakonshme. Po befasohen disa shtete me sukseset dhe formën e garuesve tanë”.
Selmani është vlerësuar “sensacion” i Botërorit. Ai arriti në finale të një kategorie shumë konkurruese, ndonëse në renditje ishte vetëm i 113-i. Ndër të tjera e mposhti karateistin numër një në ranglistën botërore.
Curri pret të tjera medalje të mëdha nga Selmani dhe të tjerët.
“Me gjeneratën që e kemi dhe ata që po vijnë, nuk do të ketë krizë nëse i mbajmë aktiv në gara. Janë 10 garues seniorë që janë potencial për medalje kulmore. Mendoj se nëse karateja vazhdon pa ndonjë telashe, Kosova do të ketë rregullisht medalje. Juniorët kanë potencial më të madh se këta aktualët. Janë më teknikë, më të relaksuar, pasi po marrin pjesë rregullisht në gara. Janë premtues dhe besoj se do të jenë më të suksesshëm”, ka deklaruar Curri.
Ai vlerëson gjeneratën e re të karateistëve.
“Nuk kemi mundur më shumë të fitojmë, për shkak të rrethanave që kemi kaluar dhe mënyrës se si klubet e kanë financimin dhe sistemin e punës. Në grupmosha po kemi konkurrencë të fortë, por kur po rriten atëherë po punësohen dhe po e kanë vështirë të vazhdojnë, pasi klubet nuk po mund t’i mbajnë shkaku i mungesës së financave”, është shprehur Curri.
Interesimi i të rinjve për karate në vend thuajse vazhdimisht ishte i madh. Numri i klubeve dhe garuesve po ashtu është i kënaqshëm. Ndarjet e telashet e tjera kishin ndikim negativ, por që vlerësohet se është kaluar me kohë.
Curri ka thënë se interesimi për t’u marrë me karate është rritur.
“Mbi një mijë karateistë janë aktivë në gara. Kemi edhe më shumë si numër, por mbi një mijë janë aktivë. Interesimi për t’u marrë me karate është kthyer. Ka rritje të numrit të nxënësve. Edhe mediat e kanë bërë të veten. Edhe rezultatet, por edhe paraqitja e mediave ka bërë që të ketë rritje të numrit. Sporti i karatesë është i shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës. Karateja ka traditë. Si sport është i lehtë dhe i pranueshëm për gjeneratat e reja që po vijnë. Afërsisht janë mbi 50 klube aktive”, ka treguar Curri.
Selmanit të hënën iu bë një pritje e ngrohtë pas kthimit nga Kajro. Pritje të tilla festive shpresohet se do të ketë edhe më shpesh në të ardhmen.