Skuadra e Tottenhamit ka bërë ofertë zyrtare për mbrojtësin francez, Jean-Clair Todibo, ka njoftuar të martën “Sky Sports”.
Mësohet se Tottenhami i ka ofruar Nices 40 milionë euro për transferimin e 23-vjeçarit në afatin kalimtar të janarit. Madje thuhet se ekipi anglez po llogaritet favorit për Todibon që ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u transferuar në Premier League.
Ai po vlerësohet si përforcim i duhur për mbrojtjen te Tottenhami dhe për këtë arsye ekipi anglez po insiston në shërbimet e tij.
Todibo ka treguar paraqitje të mira këtë edicion dhe po vlerësohet ndër mbrojtësit më të dalluar në Ligue 1 të Francës, ku në 14 paraqitje ka bërë edhe një asistim. Ai është pjesë e Nices prej vitit 2021 dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Po ashtu, Todibo këtë vit ka regjistruar edhe dy paraqitje me Përfaqësuesen e Francës.