Skuadra e Romës ka udhëtuar në Tiranë për ta shkruar historinë. Kështu ka thënë trajneri i Romës, portugezi Jose Mourinho, në konferencën për shtyp para finales së Ligës së Konferencës kundër Feyenoordit.
Mourinho e ka quajtur historike finalen e Ligës së Konferencës, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, të mërkurën prej orës 21:00. Është ky edicioni i parë i Ligës së Konferencës, niveli i tretë i garave evropiane për klube të futbollit.
Mourinho të martën ka insistuar se ekipi i tij do ta bëjë të pamundurën për ta mposhtur Feyenoordin holandez dhe për ta mbyllur edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme – me trofe evropian. Finalja në Tiranë është e veçantë për Mourinhon. Është finalja e pestë evropiane në karrierën e tij si trajner. I ka fituar të gjitha në të cilat është paraqitur, në një periudhë prej gati dy dekadash. E fitoi Kupën e UEFA-s në vitin 2003 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2004 me Porton, Ligën e Kampionëve me Interin në vitin 2010 dhe Ligën e Evropës në vitin 2017 me Manchester Unitedin. Mourinho është trajneri i parë që arrin në finale evropiane me katër klube të ndryshme.
“Kemi arritur në fundin e këtij edicioni të cilin po e mbyllim me dy finale brenda katër ditësh. Finalen e parë e fituam në xhiron e fundit në Serie A, e cila na mundësoi kualifikimin në Ligën e Evropës dhe e përmirësoi renditjen tonë. Ne e arritëm objektivin tonë pasi e fituam finalen e parë, por kjo nuk ishte një finale për ta shkruar historinë”, ka deklaruar Mourinho. “Finalja në Tiranë është historike. Do të luajmë në një finale evropiane pas shumë vjetësh. Do ta bëjmë të pamundurën për ta shkruar historinë, pra ta fitojmë këtë finale”.
Mourinho zhvillimin e finales në Tiranë e ka vlerësuar moment të veçantë për Shqipërinë. Kjo është hera e parë që Shqipëria organizon një finale ndërkombëtare.
EdheLiga e Konferencës këtë edicion ka bërë debutimin dhe Shqipëria është përzgjedhur nga UEFA për ta mirëpritur finalen e parë. Në rast se Mourinho e udhëheq Romën drejt fitores ndaj Feyenoordit, atëherë do të bëhej vetëm trajneri i tretë që fiton tri gara të ndryshme të UEFA-s pas Giovanni Trapattonit dhe Udo Lattekut, të cilët fituan Kupën Evropiane, Kupën e UEFA-s dhe Kupën e Fituesve të Kupave.
“Është një moment special për Shqipërinë dhe Tiranën. Fusha është e mirë, stadiumi është shumë i bukur dhe mendoj se pa dyshim UEFA mund të kritikohet se stadiumi nuk ka 50-60 mijë vende, por nuk mund të kritikohet se çon futbollin kudo, pra në vendet në zhvillim. Ndaj jam i lumtur që vij këtu dhe luaj këtë finale shqiptare, nëse mund ta quajmë kështu”, tha Mourinho, i cili sërish iu drejtua tifozëve shqiptarë për ta përkrahur ekipin e tij ndaj Feyenoordit. “Nëse fiton Roma, një shqiptar e ngrit kupën dhe kjo mendoj se ka një kuptim. Pra, është logjike që njerëzit këtu të jenë pro Romës”.
Kjo do të jetë finalja e parë evropiane për Romën që nga humbja e finales së Kupës së UEFA-s në vitin 1991 nga rivali italian, Interi. Roma humbi edhe kundër Liverpoolit në finalen e Kupës Evropiane të vitit 1984 në stadiumin e saj. I vetmi trofe evropian që Roma e ka fituar është ai i vitit 1961 në Kupën e Panaireve - një turne që konsiderohet paraardhës i Kupës së UEFA-s dhe Ligës së Evropës.
Krahas Mourinhos përkrahjen e tifozëve shqiptarë e pret edhe mbrojtësi i Romës, Gianluca Mancini, që u paraqit në konferencën për shtyp. Mbrojtësi Marash Kumbulla është pjesë e rëndësishme e Romës.
“Kumbulla na ka thënë se tifozët shqiptarë do ta përkrahin Romën dhe kjo më bën shumë të lumtur. Sigurisht që nuk do të jetë aspak lehtë, sepse përballen dy ekipet më të mira të Ligës së Konferencës dhe gjasat janë 50 me 50. Megjithatë, do të bëjmë të pamundurën dhe do të japim gjithçka nga vetja për të fituar këtë trofe”, është shprehur Mancini.
Edhe Feyenoordi ka kohë që nuk ka fituare trofe të garave evropiane. Të fundit ekipi holandez e fitoi në vitin 2002, kur triumfoi në Kupën e UEFA-s. Në total, Feyenoordi ka katër trofe evropianë. Mbrojtësi Gernot Trauner po shpreson ta sigurojnë të pestin në Tiranë.
Feyenoordi është ekipi i vetëm që nuk ka pësuar humbje në të gjitha ndeshjet që i ka luajtur në Ligën e Konferencës. Në 12 duele të luajtura ka regjistruar tetë fitore karshi katër barazimeve.
Edhe
Mourinho thotë se shqiptarët do ta përkrahin Romën
“Kjo ndeshje është arritja më e madhe në karrierën time si lojtar. Unë kurrë nuk e kam përjetuar një finale evropiane, kështu që është shumë e veçantë për mua. Ne nuk prisnim të arrinim në finale, por patëm rezultate të mira, ku nuk e humbëm asnjë ndeshje. Kështu që ne jemi këtu për një arsye dhe duam ta fitojmë trofeun”, u shpreh Trauner, i cili tha se rreziku më i madh për Feyenoordin në këtë finale mbetet sulmuesi i Anglisë, Tammy Abraham. “Sigurisht, jam përgatitur të luaj kundër Tammy Abrahamit. Ai është fizikisht i fortë, ka teknikë të mirë dhe di të shënojë gola. Është një nga lojtarët kyç për Romën. Ne duhet të përpiqemi ta mbajmë atë jashtë zonës”.
Tifozët e të dy skuadrave janë tashmë në Tiranë, që të paktën për një ditë është qendër e futbollit evropian. Ka pasur tensione të martën, por edhe festë. Festa e madhe e futbollit planifikohet për të mërkurën.