Sport

Mourino po ka suksese me Romën në Evropë, synon trofeun e gjashtë

Jose Mourinho do të ketë rastin për të fituar trofeun e gjashtë evropian. Për ta realizuar këtë, skuadra e Romës do të duhej të ndalte Sevillan të triumfonte për herën e shtatë në Ligën e Evropës, për të vendosur rekord të ri në këtë garë.

Roma e siguroi kalimin në finalen e Ligës së Evropës pasi eliminoi në gjysmëfinale Bayer Leverkusenin. Romës për të kaluar në finale i mjaftoi fitorja në ndeshjen e parë që u luajt javën e shkuar në Itali, pasi në duelin e kthimit, të enjten mbrëma në Gjermani, barazoi pa gola.

Roma do të përballet me Sevillan që e ka fituar gjashtë herë këtë garë dhe që në gjysmëfinale eliminoi Juventusin pas vazhdimeve, për të parandaluar një finale tërësisht italiane. Finalja zhvillohet më 31 maj në Budapest të Hungarisë.

Edhe pse ka mundësi ideale për trofeun e gjashtë evropian, Mourinho insistoi se nuk është i fokusuar për t’u bërë legjendë e Romës, pasi ia siguroi klubit finalen e dytë rresht në garat e UEFA-s. Edicionin e shkuar, Mourinho e udhëhoqi Romën drejt triumfit në Ligën e Konferencës dhe ky është vetëm viti i tij i dytë në krye të klubit nga Serie A. 60-vjeçari e ka fituar Ligën e Evropës apo Kupën e UEFA-s siç njihej më parë, me Porton e Manchester Unitedin, si dhe ka gjithashtu dy trofe të Ligës së Kampionëve. Me Unitedin ka triumfuar në Ligën e Evropës në vitin 2017.

“Shqetësimi im nuk është të futem në histori të Romës, pasi nuk më intereson trashëgimia ime në garat e UEFA-s. Unë po i ndihmoj këta lojtarë të rriten dhe të arrijnë gjëra të rëndësishme. Po i ndihmoj edhe tifozët e Romës që të shijojnë suksesin e klubit, pasi më kanë përkrahur që nga dita e parë në klub”, ka thënë Mourinho. “Është një gëzim i jashtëzakonshëm që kam arritur edhe në një finale tjetër, por ky është rezultat i punës sonë, përvojës dhe mençurisë taktike. Roma është një ekip i jashtëzakonshëm”.

Triumfi i Romës në Ligën e Evropës mund të jetë gjithashtu shansi i vetëm për të siguruar kualifikimin automatik në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Roma zë vendin e gjashtë në Serie A, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të edicionit. Ka 59 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Lazio që mban vendin e katërt, i cili garanton pjesëmarrjen në Champions nga kampionati.

“Është një mundësi e mirë dhe do të ishte diçka fantastike që Roma të kthehet në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, ne tani do të fokusohemi në ndeshjet që i kemi në kampionat, përpara se të mendojmë për finalen”, është shprehur Mourinho.

Trajneri portugez erdhi në krye të Romës para fillimit të edicionit të shkuar, duke befasuar të gjithë me një vendim të tillë, duke pasur parasysh se në të kaluarën ai ka drejtuar skuadra që shpenzojnë shumë në transferimin e futbollistëve. Roma ka shpenzuar shumë pak prejse Mourinho është në krye të ekipit, ndërsa njërin prej lojtarëve kryesorë, sulmuesin Paulo Dybala e ka transferuar falas verën e shkuar. Mourinho ka kontratë me Romën deri vitin tjetër dhe në ekipin italian po besojnë se portugezi jo vetëm që do të jetë trajner edhe edicionin e ardhshëm, por edhe do ta rinovojë kontratën. Për futbollistët e Romës, Mourinho është një trajner i veçantë, ashtu siç e ka edhe nofkën e tij.

“Ai është ndryshe, të bën të kuptosh rëndësinë e ndeshjes. Ne studiojmë, organizohemi, shikojmë video. Sidomos në Evropë mund të shihni se çfarë pune ka bërë trajneri. Mourinho është krijuesi i këtij personaliteti tonë dhe ne duam që ai të qëndrojë sa më gjatë që të jetë e mundur në Romë”, ka insistuar kapiteni Lorenzo Pellegrini.