Tifozi i pasionuar i Interit, Enrico Vanzini, shkoi në stadiumin “San Siro” të klubit për të parë ekipin e tij duke luajtur për herë të parë në vitin 2022. Ai ishte 99 vjeç. “Pasioni im filloi kur isha shtatë vjeç. Unë kurrë nuk mund të shkoja dhe nuk kisha para”, ka thënë Vanzini, tani 100 vjeç.
Një i mbijetuar i Holokaustit, Vanzini tani mezi pret përballjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën mes Interit dhe Milanit, ndërsa do ta ndjekë ndeshjen e parë nga shtëpia e të moshuarve në qytetin verior të Padovës.
“I jam lutur Zotit që të më jepte gëzimin e fitores së Interit dhe shpresoj se Ai do të pajtohet”, tha Vanzini, i cili tërë kohën mbanë të veshur një fanellë të Interit me emrin e tij të shkruar prapa.
"Unë do të bëja gjithçka (për një fitore), duke përfshirë (heqjen dorë) nga pensioni im i vogël." Një ushtar në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vanzini u kap nga gjermanët si rob lufte pasi Italia u dorëzua në 1943 dhe u mbijetoi muajve të fundit të konfliktit në kampin nazist të përqendrimit Dachau.
Pasi u kthye në shtëpi, ai punoi si shofer autobusi dhe kamioni. Vanzini, i cili mori fanellën e tij të Interit nga klubi për të shënuar ditëlindjen e tij të 100-të, filloi të dëshmonte për përvojat e tij të Holokaustit në fillim të viteve 2000. Ai fillon mëngjeset e tij duke vështruar nga dritarja, duke pritur që postieri t'i dorëzojë të përditshmen “Gazzetta dello Sport”, gazeta më e njohur sportive në Itali. Ai gjithashtu ka një iPad dhe ka mësuar se si të shikojë ndeshjet e futbollit dhe rezultatet nga aplikacionet.
“Në të kaluarën, vizitoja miqtë që kishin televizor”, zbulon ai. Vanzini e adhuron trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, duke thënë se ka bërë “shumë pak gabime”. Por ai ka një sugjerim për të ndihmuar ekipin e tij të zemrës për ta mposhtur Milanin dhe të arrijë në finalen e parë të Championsit që nga viti 2010. “Në pjesën e parë nuk duhet të lodhemi shumë, të gjithë duhet të jenë në vendin e tyre dhe pastaj të sulmojmë me të gjitha forcat në të dytën për ta fituar ndeshjen”, tha ai.