Stadiumi “Allianz Arena” në Munih është arenë e spektaklit përfundimtar të Ligës së Kampionëve për këtë edicion.
Finalja mes Paris Saint-Germainit dhe Interit zhvillohet të shtunën prej orës 21:00. Rumuni Istvan Kovacs është gjyqtar i ndeshjes, që pritet të jetë spektakël futbolli.
Parisi ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Francës. Synon tripletën dhe gjithashtu trofeun e parë të garës elitare evropiane. Ishte në finale edhe në vitin 2020, por ishte mposhtur nga Bayerni. Duket e pabesueshme që skuadra që mblodhi yje për kohë të gjatë nuk ka trofe të Championsit. Dhe tani është afruar si asnjëherë më parë, kur hoqi dorë nga yjet më të mëdha.
Interi ka tre trofe evropianë. Garën elitare kontinentale fillimisht e fitoi në vitin 1964 e më pas edhe në vitin 1965. Championsit iu gëzua në vitin 2010. Ndërkohë e humbi finalen e dy vjetëve më parë nga Manchester City.
Finalja e Championsit për Interin është mundësi e artë për të shpëtuar një edicion të vështirë. Skuadra e Simone Inzaghit e humbi garën për titull në Serie A nga Napoli. Dështoi edhe në Kupën e Italisë.
Në Champions, dy finalistët kanë pasur rrugëtim interesant. Parisi mezi e kaloi fazën e ligës. U rendit i 15-i dhe vazhdoi në plejofin e fazës nokaut. E eliminoi lehtë Brestin e më pas e kaloi Liverpoolin, tashmë kampionin e Anglisë. Në çerekfinale e kaloi skuadrën tjetër angleze, Aston Villa, ndërsa në gjysmëfinale e eliminoi Arsenalin.
Interi në fazën e ligës ishte dukshëm më i suksesshëm. Përfundoi i katërti dhe kaloi direkt në një të tetën e finales.
E kaloi me mund Feyenoordin holandez e në çerekfinale e eliminoi Bayernin. Në gjysmëfinale “neroazzurët” e fituan dramën me Barcelonën, 7:6, pas dy ndeshjeve.
Tani dy skuadrat e kërkojnë lavdinë evropiane, të lakmuar aq shumë.
“Gjatë javës kërkova përqendrim dhe vendosmëri, por jo obsesion. Duhet të jemi me mendje të lirë dhe të përgatitur sa më mirë të jetë e mundur. Ana psikologjike është e rëndësishme. Ne punuam në mënyrën më të mirë të mundshme, duke lënë anash zhgënjimin”, ka thënë trajneri i Interit, Inzaghi.
Ai e ka pasur fjalën për dëshpërimin që solli humbja e garës për “scudetto” në xhiron e fundit.
Inzaghi ka besim të plotë në skuadrën me përvojë që ka. Dhe përvoja mund të jetë shumë e rëndësishme në finale.
“Ne e dimë si përgatiten ndeshjet e caktuara. Kemi kampionë botërorë, kampionë evropianë. Kemi edhe përvojën se si të arrijmë në finale të Ligës së Kampionëve, që është e rëndësishme sa finalja e Botërorit dhe Evropianit”, ka thënë Inzaghi.
Ai mund të përzgjedhë ekipin më të mirë të mundshëm. Benjamin Pavard është i gatshëm për lojë, ka konfirmuar Inzaghi. Tekniku italian ka thënë se vetëm në tri prej 59 ndeshjeve i kishte të gjithë 23 lojtarët në dispozicion.
“Kjo i jep trajnerit besim shumë të madh. T’i kemi të gjithë në dispozicion është gjëja më e mirë e mundshme, pasi e dimë që mund të llogarisim në të gjithë lojtarët. Janë lojtarët për të cilët ndihem krenar si trajner”, ka thënë Inzaghi.
Te Parisi janë optimistë para finales.
Sulmuesi Ousmane Dembele ka pranuar se fillimi i kampanjës në Champions ishte i vështirë.
“Por ia dolëm të ndryshojmë gjërat. Duhet t’i shijoni momente si ky, pasi nuk duhet nëse do t’i përjetoni në të ardhmen”, ka thënë Dembele në konferencë për shtyp.
Ai ka thënë se gjithnjë ka pasur telashe në stadiumin në Munih.
“Por kjo është pjesë e futbollit. Duhet t’i ndryshojmë gjërat. Ekipi është përmirësuar, unë jam përmirësuar. Jam i lumtur me atë që kemi arritur nga janari. Do të provojmë të vazhdojmë këtë nesër mbrëma”, ka shtuar Dembele, që shumë herë ishte vendimtar te Parisi këtë edicion.
Ai vlerëson se Interi e ka merituar të jetë në finale. Ka thënë se është ekip fizik që di si të sulmojë, si të mbrohet dhe si ta mbajë topin.
“Duhet të qëndrojmë seriozë dhe të koncentruar. Humbja e përqendrimit për vetëm një moment mund të kushtojë shtrenjtë”, ka thënë Dembele.
Fokusi pritet të jetë maksimal të shtunën mbrëma në stadiumin në Munih. Dhe skuadra që e mban për kohë më të gjatë nivelin superior, pritet të festojë në fund.