Futboll

Iniesta për finalen e Championsit: Mentaliteti do të jetë vendimtar

Andres Iniesta

Andres Iniesta sheh shumë kualitet te Paris Saint-Germaini dhe tek Interi, dhe ka thënë se vendimtar do të jetë mentaliteti i lojtarëve, në momente të caktuara të finales së Ligës së Kampionëve.

Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Spanjës ka folur për finalen që luhet të shtunën nga ora 21:00 në “Allianz Arena” në Munih.

“Do të jetë sfidë interesante. Simone Inzaghi dhe Luis Enrique kanë lojtarë të shkëlqyer dhe po bëjnë punë të veçantë me klubet e tyre. Jam i lumtur për Luis Enriquen sepse e kam dashur edhe si lojtar dhe më pas si trajner. Ai punon shumë dhe është i fokusuar në detaje”, ka deklaruar Iniesta për “Sky Sport Italia” të enjten. 

Luis Enrique si trajner e fitoi Ligën e Kampionëve me Barcelonën në vitin 2015, ndërsa Inzaghi në finale të Championsit është për herën e dytë brenda tre vjetësh.

Në finalen e parë u mposht nga Manchester City.

Iniesta si futbollist e ka fituar katër herë trofeun më të çmuar evropian për klube me Barcelonën, në vitin 2006, 2009, 2011 dhe 2015.