Futboll

Pse titulli i Ligës së Kampionëve mbeti i paarritshëm për PSG-në dhe a do të ndryshojë kjo?

PSG

Miliarda dollarë janë shpenzuar. Disa nga lojtarët më të mëdhenj të botës kanë ardhur e janë larguar. Por titulli i Ligës së Kampionëve ka mbetur i paarritshëm për Paris Saint-Germainin.

Kjo mund të ndryshojë.

Klubi në pronësi të Katarit është një ndeshje larg çmimit më prestigjioz në futbollin evropian. Interi është pengesa në finalen e së shtunës në Munih.

Parisi llogaritet favorit. Ka njërin prej ekipeve më interesante në botën e futbollit, që ka ofruar paraqitje mbresëlënëse. Ka mposhtur Manchester Cityn e Liverpoolin, ndër të tjera, rrugës për në finale. Duket që koha e PSG-së ka ardhur.

Interi është kundërshtar i papërshtatshëm që është në finalen e dytë në tre vjetët e fundit. Ekipi italian e mposhti Barcelonën në gjysmëfinalen epike. 7:6 ishte rezultati i përgjithshëm.

Arritja e PSG-së në finale ka arsyetuar ndryshimin e strategjisë. Klubi më nuk bazohet në superyje, por bazohet në kolektiv dhe në talentet e reja nga Franca.

Te Parisi kanë luajtur lojtarë të mëdhenj si Zlatan Ibrahimoviq, Kylian Mbappe, Neymar e Lionel Messi. Por parisienët nuk vunë dorë në trofeun që aq shumë e dëshirojnë.

Messi, Neymar e Mbappe janë larguar në vitet e fundit, ndërsa pa këto figura ikonike Parisi duket i kompletuar si kurrë më parë. Kjo megjithatë ka kosto.

Lojtarë si Ousmane Dembele, Desire Doue dhe Khvicha Kvaratskhelia u angazhuar për rreth 240 milionë dollarë. Ata janë vetëm një pjesë e ekipit që u përzgjodh dhe që kushtoi shumë.

Drejtuesit e Interit ishin më të zhdërvjelltë. Kanë angazhuar lojtarë më të vjetër dhe lojtarë të lirë për të arritur në dy finale të Championsit brenda tre vjetësh. Humbi nga Manchester City në vitin 2023, ndërsa vjet e fitoi titullin e Italisë.

Sa i takon Parisit, nuk është hera e parë që i është afruar kaq pranë trofeut të Ligës së Kampionëve. Në finalen e vitit 2020 humbi 1:0 nga Bayerni. Në gjysmëfinale ishte vjet dhe në vitin 2021. Por eliminimi në një të tetën e finales në vitet 2022 dhe 2023 i parapriu vendimit për ndryshim strategjie.

Interi e ka fituar garën elitare evropiane tri herë, ndërsa i është afruar pranë viteve të fundit. Së fundi e fitoi në vitin 2010 me Jose Mourinhon në krye.

Dy skuadrat kanë plot adutë në mesin e lojtarëve. Kanë edhe trajnerë cilësorë e me përvojë. Por festa do të jetë vetëm për njërën skuadër të shtunën mbrëma në Munih.