Një edicion që premtonte shumë për Interin, tani varet nga ajo nëse skuadra me përvojë e Simone Inzaghit do ta mposhtë Paris Saint-Germainin në finalen e Ligës së Kampionëve. Kështu ndeshja e së shtunës mbrëma (21:00) në Munih jep ndjesinë e një shansi të fundit për klubin italian.
Interi ende po vuan që nuk ia doli ta mbrojë titullin në Serie A. Skuadra e Inzaghit po ashtu kërkon ta kompenzojë humbjen nga Manchester City në finalen e dy vjetëve më parë, ndërsa për shumë prej lojtarëve me përvojë të skuadrës kjo shihet mundësia e fundit për lavdi evropiane.
Inzaghi ka detyrë të vështirë për ta mobilizuar skuadrën. Lojtarët përjetuan dëshpërimin të premten e kaluar kur “Scudetto” shkoi te Napoli, në garën e vendosur në xhiron e fundit.
“Ka shumë vujajte tek unë dhe te lojtarët. Është e pakuptimtë që ta mohoj këtë”, kishte thënë Inzaghi të hënën.
Jo shumë kohë më parë “tripleta” ishte temë tek Interi. Interi po paraqitej mirë në Evropë, udhëhiqte garën në Serie A dhe arriti në gjysmëfinale të Kupës. Gjithçka filloi të rrënohet në një periudhë prej tri ndeshjeve në muajin prill.
Përpjekja për të përsëritur suksesin në tri fronte, që e kishte arriti ekipi i Jose Mourinhos në vitin 2010, përfundoi kur Interi humbi 3:0 nga Milani në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës. Ndërkohë humbjet në ligë i mundësuan Napolit që ta marrë kontrollin e garës për titull.
Përkundër dështimit në garat vendore, tek Interi mund të mbesin optimistë pas një kampanje evropiane që ishte e një niveli tjetër. Në Ligën e Kampionëve, Interi e përfundoi fazën e ligës në vendin e katërt. E pësoi vetëm një gol në tetë ndeshje.
Mbrojtja e fortë në edicionin 2023/2024, gjatë të cilit pësoi vetëm 22 gola në 38 ndeshje në ligë, i mundësoi Interit triumf të lehtë në garën në Serie A. Ajo frymë u bart në Champions në këtë edicion, të paktën deri në fazën nokaut.
Katër ndeshjet e fundit në Champions të Interit sollën dukshëm më tepër gola. Nuk munguan dramat, ndërsa çdo gjë kulmoi në barazimin emocionues në gjysmëfinale me Barcelonën.
Fitorja e përgjithshme me rezultat 7:6 erdhi falë mbrojtësit Francesco Acerbi që shënoi golin e barazimit në minutat shtesë dhe zëvendësuesit Davide Frattesi që shënoi golin e fitores në vazhdime.
Acerbi është një nga shumë lojtarët e Interit që ende janë të prekur nga humbja në finalen e Championsit në vitin 2023. 37-vjeçari zgjodhi momentin e përkryer për të shënuar golin e parë evropian dhe për të mbajtur ekipin italian në garë.
Interi, ndryshe nga Parisi, ka ekip me lojtarë me shumë përvojë. Yann Sommer, Matteo Darmian, Henrikh Mkhitaryan, Stefan de Vrij, Hakan Çalhanoglu, Piotr Zielinski, Marko Arnautoviq, Mehdi Taremi janë në të tridhjetat.
Inzaghi shpreson që përvoja, së bashku me dëshirën për të larguar “fantazmat” e finales së Stambollit dhe për të harruar dështimin në Serie A këtë edicion, mund ta nxisin skuadrën e Interit drejt trofeut të çmuar, që do të linte prapa dështimet e fundit të “neroazzurëve”.