Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tensione te Milani pas largimit të Maldinit

Largimi i Paolo Maldinit nga posti i drejtorit te Milani ka sjellë tensione të mëdha brenda klubit italian. E përditshmja “La Republicca” shkruan të mërkurën se disa prej lojtarëve kryesorë të Milanit nuk janë të kënaqur me vendimin e klubit për largimin e Maldinit.

Madje, thuhet se ata tashmë kanë kërkuar largimin nga Milani gjatë kësaj vere për shkak të Maldinit, i cili i kishte bindur të firmosin kontratat e reja me klubin javë më parë.

Bëhet e ditur se sulmuesi Rafael Leao dhe mbrojtësi i krahut, Theo Hernandez haptazi kanë kritikuar drejtuesit e Milanit për largimin e Maldinit dhe kanë shprehur dëshirën e tyre të largohen nga “San Siro”.

Po ashtu, thuhet se edhe portieri Mike Maignan ka refuzuar rinovimin e kontratës duke paralajmëruar largimin gjatë kësaj vere.

Milani të martën e konfirmoi largimin e Maldinit, që e kishte rolin e drejtorit në klub prej vitit 2018.