Sport

Tek Interi u frikësohen “vrasësve” dhe jo Cityt në finale

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, thotë se tek ekipi i tij duhet të ketë frikë nga “vrasësit dhe njerëzit e këqij”, por jo edhe nga sulmi i rrezikshëm i Manchester Cityt. Bastoni ka folur përpara finales së Ligës së Kampionëve mes Interit dhe kampionit anglez.

City e eliminoi Real Madridin në gjysmëfinale duke e mposhtur 4:0 në ndeshjen e dytë. Avancoi në finale me rezultatin e përgjithshëm, 5:1. Erling Haaland nuk ishte në listën e shënuesve në asnjërën ndeshje, por sulmuesi ka 12 gola në Champions këtë edicion dhe do të përfundojë si golashënuesi më i mirë i kësaj gare çfarëdo që të ndodhë në finalen e së shtunës në Stamboll.

Interi, sikurse City, po synon trofeun e tretë këtë edicion. Më herët ka triumfuar në Superkupën dhe Kupën e Italisë. Ndërkohë City është shpallur kampion i Anglisë dhe e ka fituar Kupën FA.

“Duhet të kemi frikë nga vrasësit dhe njerëzit e këqij. Jo nga lojtarët, jo nga lojtarët e moshës sonë”, tha Bastoni. “Është e gabuar të flitet për frikë. Ne kemi guxim dhe falë guximit kemi arritur në finale”.

Skuadra e Interit u paraqit për herë të fundit në finale të Championsit në vitin 2010, kur mundi Bayern Munichun për të siguruar tripletën nën drejtimin e Jose Mourinhos. Kjo është hera e parë që nga ajo kohë që Interi ka avancuar përtej çerekfinales në Champions.

Për Cityn është finalja e dytë, ndërsa edicionin e shkuar arriti deri në gjysmëfinale. Për dallim prej Interit që ka tre trofe të Championsit, City është në kërkim të trofeut të parë.

“Ne jemi shumë të lumtur që kemi arritur këtë objektiv, pasi prej fillimit kemi synuar arritjen në finale”, tha mesfushori i Interit, Federico Dimarco. “Ne e dimë se përballemi me një ekip shumë të fortë, por për ne kjo finale, fitimi i trofeut, është një ëndërr. Për rivalin është një obsesion”.

City është favorit për të ngritur trofeun, por lojtarët e Interit janë të sigurt se do ta thonë fjalën e tyre.

Interi avancoi nga një prej grupeve më të vështira, që përfshinte Bayernin dhe Barcelonën, ndërsa eliminoi Porton, Benficën dhe Milanin për të arritur në finale. Ka fituar 11 nga 12 ndeshjet e fundit.

“Jo të gjitha klubet janë në gjendje të përparojnë nga një grup që përmban Bayernin e Barcelonën. Ne jemi përballur me disa skuadra të forta, por kemi treguar se e meritojmë të jemi këtu përmes paraqitjeve tona në fushë dhe do të luajmë finalen në kushte të barabarta”, insistoi Dimarco. “City është shumë i fortë dhe ne e dimë këtë. Megjithatë, Interi duhet të jetë Interi. Ne duhet të vendosim gjithë krenarinë dhe forcën tonë në fushë”.

Lojtarët e Interit dukeshin shumë të relaksuar në një ditë kushtuar mediave, në kompleksin stërvitor të klubit, vetëm pak ditë para finales. Portieri Andre Onana ishte i buzëqeshur teksa bisedonte me gazetarët.

“Nuk kam fare presion. Nuk kemi presion”, tha ai. “Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por ne do të jemi atje dhe në nivelin e duhur. Kundërshtarët kanë më shumë presion se ne. Kështu që jam i qetë”.