Kristjan Asllani ishte pjesë e Interit kur “nerazzurrët” u mposhtën nga Manchester City në finalen e Ligës së Kampionëve në edicionin 2022/23.
Asllani e ka mundësinë që këtë edicion ta fitojë “Championsin” me skuadrën e Simone Inzaghit.
Finalja e Ligës së Kampionëve ndërmjet Interit dhe Paris Saint-Germainit luhet të shtunën nga ora 21:00 në “Allianz Arena” në Munih.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Asllani, në një intervistë për “Sky Sports” ka deklaruar se Interi do të jetë i përgatitur shumë mirë që ta fitojë Ligën e Kampionëve.
“E dimë si është futbolli, tani kemi këtë ndeshje të shkëlqyer për t’u përgatitur. Do të fillojmë të punojmë përsëri dhe të studiojmë kundërshtarin. Jemi të lumtur që kemi arritur deri këtu. Kjo është një garë shumë konkurruese, është e vështirë të arrish deri në fund. E humbëm finalen dy vjet më parë, tani duhet të hyjmë në fushë me vendosmërinë dhe ashpërsinë e duhur për ta sjellë në shtëpi kupën”, u shpreh Asllani.
23-vjeçari Asllani këtë edicion në “Champions” është paraqitur në shtatë ndeshje.
Ndërsa në Serie A ka luajtur në 22 ndeshje dhe kontribuoi me dy gola dhe dy asistime. E ka edhe një gol të realizuar në Kupën e Italisë.
Interi në xhiron e fundit e humbi garën për titullin e kampionit në Itali.