Futboll

Interi në bisedime me Bolognan për Asllanin

Kristjan Asllani

Kristjan Asllani është i vetëdijshëm se Interi dëshiron shitjen e tij, ndërsa mediumi “Football-Italia” ka mësuar të mërkurën se skuadra ka nisur kontaktin me Bolognan për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me mesfushorin e Shqipërisë. 

Asllani i ka refuzuar dy oferta në verë, atë të Real Betisit në La Liga dhe të Sassuolos së promovuar sivjet në Serie A. 

23-vjeçari preferon të luajë në kupat evropiane në këtë edicion, shkruan mediumi italian. 

Megjithatë, Asllani duket se është dorëzuar, dhe pavarësisht interesimit të Torinos, skuadrës tjetër të Serie A, dëshiron largimin te Bologna apo Fiorentina. 

Asllani mund të largohet në formë huazimi, por me obligim blerjeje në fund të sezonit. 

23-vjeçari nga Elbasani luajti në Kupën e Botës për Klube me Interin dhe e pati një asistim, ndërsa sezonin e kaluar e mbylli me 39 paraqitje, tri gola të shënuar e po aq asistime.