Futboll

Asllani në radarin e Torinos

Kristjan Asllani

Mesfushori i Interit, Kristjan Asllani, po kërkohet nga skuadra e Torinos. Asllani shihet si përforcim ideal për Torinon. 

Drejtori sportiv i Torinos, Davide Vagnati, është duke insistuar në transferimin e reprezentuesit të Shqipërisë. Kështu ka shkruar të martën “Transferfeed”. Mësohet se ende Torino nuk ka dërguar ofertë zyrtare.  

Asllani me shumë gjasë të largohet nga Interi gjatë këtij afati kalimtar. 

Është raportuar se nuk bën pjesë në planet e trajnerit të “nerazzurrëve”, Cristian Chivu. 

23-vjeçari kishte ofertë edhe nga klubi i La Ligas, Real Betis, por ai e refuzoi këtë pasi synimi i tij është që të qëndrojë ende në Serie A. 

Fiorentina dhe Bologna janë dy skuadrat tjera italiane që e dëshirojnë kartonin e Asllanit. 

Mesfushori ka kontratë me Interin deri në vitin 2028. Te kjo skuadër u transferua nga Empoli në vitin 2023 për rreth 16 milionë euro. 

Në edicionin e kaluar shënoi tri gola e po aq asistime në 39 paraqitje në të gjitha garat.