Organizata QIKA ka realizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Aktivite të kësaj organizatë kanë vendosur mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës së Qeverisë, ndërsa kanë hedhur ngjyrë të kuqe në shkallët e ndërtesës, siç kanë thënë si simbol i jetëve të humbura dhe i përgjegjësisë që, sipas tyre, duhet të mbajë shteti.
Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, ka thënë se Arlinda Zekaj kishte ndjekur procedurat ligjore për të kërkuar mbrojtje, por, pavarësisht kësaj, nuk ishte arritur të parandalohej vrasja e saj.
“Arlinda Zekaj kërkoi mbrojtje nga shteti. Ajo iu drejtua institucioneve, ndoqi procedurat ligjore, siguroi urdhër mbrojtjeje dhe paralajmëroi qartë për rrezikun që i kanosej. Institucionet ishin të njoftuara. Rreziku ishte i dokumentuar. Megjithatë, pak minuta më vonë, Arlindën e vranë”, tha ajo.
Asllani ka ngritur pikëpyetje për efektivitetin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave nga dhuna, duke theksuar se ndjekja e procedurave ligjore nuk duhet të mbetet pa rezultat.
Edhe
Thirret protestë kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt
“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet, të kërkojnë urdhra mbrojtjeje dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet?”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar hetimin e të gjitha hallkave institucionale përgjegjëse, duke theksuar se askush nuk duhet t’i shmanget llogaridhënies përmes procedurave apo kompetencave institucionale.
“Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë përballë dhunës, edhe kur ato kërkojnë ndihmë dhe paralajmërojnë për rrezikun që u kanoset. Të gjitha hallkat institucionale përgjegjëse duhet të hetohen. Askush nuk mund të fshihet pas procedurave dhe kompetencave për t’iu shmangur përgjegjësisë”, tha Asllani.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që të gjithë personat, veprimet apo mosveprimet e të cilëve mund të kenë kontribuar në dështimin për ta mbrojtur Arlindën, të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
“Të gjithë ata që, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kontribuuan në dështimin për ta mbrojtur Arlindën, duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”, tha ajo.
Edhe
Shiroka-Pula: Rrethanat në të cilat ndodhi vrasja në Pejë kërkojnë hetim urgjent e të paanshëm
Duke shpjeguar simbolikën e aksionit, Asllani ka thënë se ngjyra e kuqe e hedhur në shkallët e Qeverisë përfaqëson një akuzë dhe një kujtesë për jetët e humbura, si dhe për përgjegjësinë institucionale.
“Ngjyra e kuqe që hodhëm sot në shkallët e Qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe e përgjegjësisë që shteti duhet të mbajë”, tha ajo./EkonomiaOnline