Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Chris Brown dënohet me 8 muaj burgim me kusht për sulmin me shishe ndaj një burri në Londër

Chris Brown

Chris Brown

Foto: Associated Press

Këngëtari amerikan Chris Brown është dënuar me tetë muaj burgim me kusht, pas sulmit ndaj një burri në një klub nate në Londër, në muajin shkurt të vitit 2023, ka shkruar The Guardian.

Artisti 37-vjeçar e pranoi fajësinë për përleshje të dhunshme në fillim të këtij viti, pasi goditi një ish-mik me një shishe të “tequilas” në klubin privat “Tape”, në zonën Mayfair të Londrës.

Edhe trajneri i tij vokal, Omololu Akinlolu, 40 vjeç, i cili mori pjesë në sulm, u dënua me katër muaj burgim me kusht. Të dy duhet të paguajnë nga rreth 1.800 euro për shpenzimet gjyqësore.

Gjatë seancës, prokurorja Heidi Stonecliffe ka thënë se Brown përdori një shishe të rëndë të pijes alkoolike “tequila” për ta goditur Abraham Diaw dy herë në anën e majtë të kokës. Sipas saj, këngëtari vazhdoi ta godiste edhe pasi viktima u kthye për t’u larguar.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të paraqitura në gjykatë, treguan Brownin duke e goditur Diawn katër herë me shishe, dy herë në kokë dhe më pas në shpatull. Në pamje shihet gjithashtu Akinlolu duke e kapur viktimën, që bie në tokë, ndërsa Brown vazhdon ta godasë me grushte.

Sulmi ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe zgjati afërsisht 20 sekonda.

Gjykatësi Baumgartner e cilësoi sulmin si “qartazi të rrezikshëm”, duke theksuar se përdorimi i përsëritur i një shisheje qelqi, sidomos ndaj kokës, mund të shkaktonte lëndime shumë më të rënda.

Ai paralajmëroi gjithashtu se “suksesi komercial nuk të siguron trajtim të privilegjuar në gjykatë”.