Interi fitoi në udhëtim te Como 2:0 të premten mbrëma në ndeshjen e fundit të kampionatit, por ishte Napoli që e festoi titullin.
Edhe Napoli fitoi ndaj Cagliarit me të njëjtin rezultat dhe e fitoi kampionatin me 82 pikë, një më shumë se Interi.
Kristjan Asllani e kompletoi ndeshjen tek Interi.
“E përgatitëm ndeshjen mirë sepse e dinim se duhej të vinim këtu, të luanim ndeshje të mirë e të fitonim. Më pas, të shpresonim për rezultat të favorshëm. Jemi të dëshpëruar por duhet të përgatitemi për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Dëshpërimin e kampionatit duhet ta kthejmë në energji për finalen e Championsit. Është Kupa më e rëndësishme nga gjithë të tjerat. Duhet të shkojmë atje me formë të mirë, e më pas të kthehemi të lumtur. Rrugëtimi ka qenë pozitiv. E humbëm kampionatin me një pikë, ndërsa u eliminuam në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Tani e kemi Ligën e Kampionëve dhe duhet ta sjellim në Milano”, ka deklaruar mesfushori i Shqipërisë për “Inter TV” pas ndeshjes.