Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Shqipëria, të bindur në fitore ndaj Gjeorgjisë

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka paralajmëruar ndryshime në formacion për miqësoren ndaj Gjeorgjisë, të cilën dëshiron ta fitojë. Reja në konferencën për shtyp, të mbajtur të hënën, ka thënë se dëshiron që Shqipëria të ketë paraqitje sikurse ndaj Spanjës, të cilën e vlerëson shumë pozitive.

Shqipëria të shtunën e shkuar u mposht nga Spanja (2:1) në Barcelonë, ndërsa të martën do të përballet me Përfaqësuesen e Gjeorgjisë. Kjo ndeshje nis në orën 18:00 dhe luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Për këtë përballje, Shqipëria do të ketë edhe mungesa. Reja nuk do t’i ketë në dispozicion mesfushorët Ivan Balliu e Keidi Bare, si dhe sulmuesin Myrto Uzuni. Ky i fundit shënoi golin e vetëm për Shqipërinë në ndeshjen ndaj Spanjës. Edhe për duelin me Gjeorgjinë, Shqipëria përgatitjet i ka bërë në Barcelonë, ku ishte akomoduar prej fillimit të javës së shkuar. Të hënën paradite, Shqipëria e ka mbajtur edhe seancën e fundit stërvitore para miqësores me Gjeorgjinë, përpara se të udhëtojë dhe akomodohet në Durrës.

“Sigurisht që unë do të doja të bënim të njëjtën paraqitje edhe ndaj Gjeorgjisë, ashtu siç luajtëm edhe ndaj Spanjës, pavarësisht se rezultati nuk ishte pozitiv në fund. Do të ketë shumë ndryshime edhe në mesfushë, por më duhet t’i vlerësoj të gjitha situatat, të gjithë lojtarët. Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Spanjës mendoj, paraqitja ka qenë pozitive”, ka thënë Reja. “Sa i përket Gjeorgjisë, është një ekip shumë i fortë. Ka mundur Bosnjën, është një ekip i organizuar, teknik, shumë i vështirë. E kisha kërkuar që në fillim, dy sfida të vështira në këto miqësore, si Spanja edhe Gjeorgjia më kënaqin dhe na japin mundësi të krijojmë eksperiencë të rëndësishme, por edhe të rritemi dhe të tregojmë rritjen tonë. Ky ishte synimi, të kishim kundërshtarë të tillë dhe ia arritëm qëllimit”.

Reja ka zbuluar se u ka kërkuar futbollistëve të tij, që për asnjë moment të mos e nënvlerësojnë Gjeorgjinë. Madje, ai ka thënë se të gjithë lojtarët janë të motivuar për ta fituar këtë ndeshje.

“Për mua miqësoret janë si ndeshje zyrtare, janë po aq të rëndësishme. Shoh te djemtë një motivacion dhe besoj se do të kemi një ndeshje shumë të mirë ndaj Gjeorgjisë, të cilën duam ta fitojmë. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje teknikisht perfekte, të jemi shumë të përqendruar në fushë, të bëjmë sa më pak gabime dhe të shfrytëzojmë sa më shumë raste dhe hapësirat që mund të na lërë Gjeorgjia në momente të ndryshme të lojës”, tha Reja. “Sigurisht që Gjeorgjia është një kundërshtar krejt ndryshe, por kemi parasysh që është një skuadër që mbrohet mirë, vrapon shumë dhe është e rrezikshme në kundërsulm. Gjeorgjia është ndryshe nga Spanja, por nuk është aspak një rival më i dobët. Është një ekip i mirë dhe duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshme. Gjeorgjia ka pikat e forta dhe të dobëta, por për ne është e rëndësishme që të shfrytëzojmë çdo moment dhe të finalizojmë sa më mirë momentet që na paraqiten”.

Edhe qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti, sikurse trajneri Reja, tha se Shqipëria pati një paraqitje të mirë ndaj Spanjës, por pësoi humbje në fund për shkak të mungesës së përqendrimit. Ndaj Gjeorgjisë, Gjimshiti tha se do të jetë një ndeshje që Shqipëria synon ta fitojë dhe shtoi se pret përkrahjen e madhe nga tifozët.

Edhe Kuqezinjtë e kthejnë fokusin te ndeshja me Gjeorgjinë, stadiumi i stërmbushur Futboll Kuqezinjtë e kthejnë fokusin te ndeshja me Gjeorgjinë, stadiumi i stërmbushur

“Edhe me këtë ndeshje që bëmë kundër Spanjës, besoj se tifozët e kanë parë që lojtarët kanë dhënë gjithçka në fushë dhe besoj se do të jetë një ndeshje ndryshe, sepse kualiteti teknik nuk është aq i lartë sa i Spanjës, por prapë është një ekip që vrapon shumë dhe mbrohet mirë. Por besoj që ndeshja do të jetë ndryshe, sepse do të kemi edhe ne më shumë raste për të qenë ofensivë”, është shprehur Gjimshiti.

Tekniku italian, po ashtu, shtoi se ndeshjet e këtij muaji do t’i shërbejnë shumë Shqipërisë që të përgatitet sa më mirë për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve që nis në muajin qershor.