Shqipëria nuk ia doli ta fitoj asnjërën prej dy ndeshjeve të para të grupit B2 të Ligës së Kombeve. Barazoi në udhëtim ndaj Islandës, ndërsa u mposht në shtëpi nga Izraeli.
Por përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja dhe mbrojtësi Elseid Hysaj të dielën në konferencë për media kanë thënë se kanë edhe dy ndeshje për t’i përmirësuar gabimet e bëra në dy ndeshjet e këtij muaji. Shqipëria shpreson që grumbullimin e këtij muaji ta mbyllë me fitore.
Të hënën në Tiranë e luan miqësoren kundër Estonisë. Ndeshja nis nga ora 18:00.
“Kur luan në kombëtare nuk ekziston miqësorja sepse pritjet janë të larta dhe duhen lojtarë të motivuar. Ndaj duhet të luajnë ata që janë aktivizuar më pak dhe jam i bindur se do të paraqiten mirë pavarësisht se është miqësore. Duhet të bëjmë një paraqitje me intensitet të lartë, të paktën këto janë pritjet tona”, ka thënë Reja.
Ndërkohë, mbrojtësi Hysaj ka pranuar se kanë bërë gabime në dy ndeshjet e para të këtij muaji, por pret fitore ndaj Estonisë.
Edhe
Shqipëria ndaj Armenisë synon fitoren e parë në vitin 2022
“Është pak e vështirë, por personalisht jam profesionist dhe kjo është puna ime. Duhet të jem gati për çdo ndeshje, për çdo moment që do trajneri që ne të jemi në lojë. Jemi të qetë. Ka edhe disa prurje të reja në skuadër, që Reja do t’i provojë në këtë ndeshje dhe besoj se është gjë e mirë, pasi duhet të shohim edhe disa çuna të rinj që po stërviten dhe po ecin mirë”, ka thënë Hysaj.
Me Izraelin e Islandën, Shqipëria në shtator i luan dy ndeshjet tjera të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve