Sport

Kuqezinjtë të gatshëm për “finalen” në Tel Aviv

(KD) – Përzgjedhësi Edoardo Reja insistoi se ndeshja kundër Izraelit në Ligën e Kombeve është tejet e rëndësishme për përfaqësuesen e Shqipërisë. Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, përzgjedhësi i Shqipërisë tha se gjatë tërë javës ndeshja është përgatitur sikurse të jetë një finale. Tekniku italian insistoi se Shqipërisë i kryen punë vetëm fitorja në Tel Aviv në mënyrë që në fund të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve të përfundojë e para në grup dhe të promovohet në Ligën A për sezonin e ri.

Dueli mes Izraelit dhe Shqipërisë zhvillohet në Tel Aviv të shtunën prej orës 20:45 dhe i takon Grupit 2 të Ligës B. Aktualisht Shqipëria është e treta në grup me një pikë, katër më pak se Izraeli që është lider. Por Shqipëria ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Vendin e dytë e zë Islanda e cila do ta vizitojë Shqipërinë të martën në ndeshjen e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Rusia është dashur të garojë në këtë grup, por u pezullua.

“Nëse duam të shpresojmë për vendin e parë, nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër përveçse të marrim fitoren në këtë ndeshje. Ne kemi vetëm një pikë dhe kundërshtari pesë, ndaj jemi të dënuar të fitojmë për të qenë brenda objektivave. Do t’u kërkoj të gjithë lojtarëve që në fushë të zbresin për të dhënë maksimumin. Kemi punuar shumë këtë javë dhe kemi treguar shumë vëmendje në aspektin taktik, ndaj jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Duhet të kërkojmë fitoren, por edhe të bëjmë kujdes, pasi e dimë që kundërshtari mjaftohet edhe me një pikë. Dhe për më tepër ka një kundërsulm shumë të rrezikshëm. Shpresojmë që të kemi në krahun tonë edhe fatin, apo episodet, që herët e tjera na kanë penalizuar”, ka thënë Reja. “E njohim kundërshtarin dhe e dimë forcën e tij, por nesër do të fitojë skuadra që ka më shumë dëshirë për të fituar dhe që do të zbresë në fushë me mentalitetin e duhur. Ne e njohim mirë Izraelin dhe e dimë si luan ndaj jemi përgatitur mbi bazën e këtyre njohurive. Por më pas në fushë ndryshojnë gjërat”.

Reja po ashtu foli edhe për mungesat që i ka në repartin e mbrojtjes. Insistoi se ato nuk do të ndikojnë aspak te Shqipëria që është e vendosur për ta mposhtur Izraelin, i cili në muajin qershor fitoi në Tiranë 2:1. Reja shtoi se për fitore do të vendosë vetëm dëshira e futbollistëve në fushë. Pret ta shikojë në fushë një Shqipëri të vërtetë, duke luajtur pa frikë dhe pa u ndjerë inferiore.

“Nuk do të peshojnë aspak mungesat, por forma fizike dhe dëshira për të dhënë maksimumin e për të fituar. Duhet të shkojmë në fushë dhe të luajmë, pasi përtej mungesave ne kemi lojtarët e duhur për të luajtur. Pres që të tregohemi një skuadër e vërtetë, duke luajtur pa frikë dhe pa asnjë ndjenjë inferioriteti”, u shpreh ai. “Duhet të përballojmë presionin, sidomos në minutat e para dhe më pas të tregohemi të vëmendshëm, të fitojmë sa më shumë dyluftime dhe mbi të gjitha të shfrytëzojmë rastet tona të shënimit. Duhet të bëjmë një ndeshje perfekte, si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe atë sulmues, pasi na duhet fitorja dhe kjo arrihet duke shënuar”.

Përkrah përzgjedhësit Reja në konferencë u paraqit mbrojtësi i krahut të djathtë, Elseid Hysaj. Hysaj u shpreh se gjithë futbollistët janë gati t’u përgjigjen kërkesave të trajnerit dhe do të dalin në fushë për ta fituar ndeshjen. Sipas tij, vetëm me fitore mund të arrihet synimi.

“Kemi ardhur për të bërë mirë dhe për të marrë pikë. Po dolëm pa pikë vështirë të arrijmë objektivin. Jemi aq të rritur sa ta kuptojmë që është një ndeshje e rëndësishme, duhet të jemi me patjetër 100 për qind të përqendruar. Dhe më pas të mendojmë për ndeshjen tjetër, por çdokush që ka ardhur në këtë grumbullim do të bëjë maksimumi dhe do të tregojë vlerat e tij”, tha Hysaj, i cili foli edhe për mungesat.

“Kemi qenë edhe më parë me mungesat dhe përsëri kemi luajtur mirë. Ata që kanë luajtur kanë treguar vlerat dhe kanë bërë mirë, ne ecim para si grup. Nuk kemi një lojtar që fiton ndeshjet apo që i humb, e dimë që kemi kualitet. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që nesër t’i tregojmë. Presioni nuk është vetëm për ne, por edhe për Izraelin”.